Në shpinë të Diasporës

Autori:admin

Ministria e Diasporës ka rritur efikasitetin. Ajo ka arritur të verifikojë ekzistencën e tri tavolinave të drurit së bashku me tri karrige të thjeshta, por elegante, që gjenden në në Zvicër duke dërguar vetëm 6 veta në shtetin helvetik. I njëjti komision që lirisht mund të krijojë një ekip futbolli të vogël ka udhëtuar edhe në Turqi dhe Suedi. Dikush mezi mbante fletën A4 në çantë e cila ishte e rënduar me listën ku ishin të shënuara aseteve me vlerë kombëtare, dikush lapsin e dikush kishte shkuar që të shkruante. Tre të tjerëve është vështirë t’u gjenden detyra pasi regjistrimi i aseteve nuk ishte punë për ta. Por, kishin shkuar që ta mbikëqyrnin punën e tre të parë ve pasi si duket bëhej fjalë për pasuri të tëra. Tri tavolina të rralla që përbëjnë historinë, pasi janë ndër pasuritë e para të Kosovës jashtë kufijve, ministria i ruan me fanatizëm. Verifikimi i aseteve shkoi si është më së miri. U shpenzuan mbi 12 mijë euro për këtë udhëtim historik, por ia vlejti. Asetet që kushtojnë më pak se 5 mijë euro u sigurua që janë që të gjitha të paprekura. Tash, komisioni kryelartë i përbërë prej Dardana Çitaku, Shpresa Rama, Mizbah Mustafa, Besim Berisha, Blerim Gërbesh dhe Anell Bajra e mban kokën lartë. I mbrojtën pasuritë e Kosovës nëpër botë. Të gjithë këtë punë madhore ata e kishin bërë për 6 ditë. Brenda më pak se një jave ata sakrifikuan duke ndërruar së paku 4 aeroplanë. Shpenzuan secili deri në 251 euro në ditë gjatë qëndrimit në Zvicër, deri në 253 euro në ditë gjatë qëndrimit në Suedi dhe deri në 204 euro në ditë gjatë qëndrimit në Turqi. Por këto shpenzime i mbuloi shteti të cilit ia ruajtën nderin e pasurinë në tri vende të botës. Fundja, Kosova këtyre trimave e trimneshave edhe ua kishte borxh një gjë të tillë.

Udhëtimi u kushtoi mijëra euro, por edhe këto këtyre bijave e bijve të paepur shteti ua shpërbleu nxjerrjen nga balta të pasurive të çmuara, duke ua paguar biletat deri në centin e fundit.

Gazeta Fjala ka dashur të shkruaj më në detaje për punën e tyre heroike, por Drejtori për Informim i kësaj ministrie, Lorik Pustina nuk ka dhënë asnjë informatë të vetme, përkundër insistimit, pasi siç duket ky komision është shumë modest në punët që kryen dhe nuk dëshiron të rrahë gjoks për të mirat që po ia bën këtij shteti.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/luftetaret-e-diaspores/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala