Luftë për UNESCO-n

Autori:Avdyl Pajaziti

Në prag të fillimit të Konferencës së përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), autoritetet e Kosovës kanë thënë se do të vazhdojnë fushatën pozitive për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Por, në anën tjetër, autoritetet e Beogradit edhe më tej po zhvillojnë fushatë të intensifikuar kundër këtij anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në UNESCO.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të shtunën se Kosova është përcaktuar që të bëjë një fushatë pozitive për pranimin e saj në UNESCO dhe për një gjë të tillë ai ka kërkuar përkrahjen e të gjitha vendeve të botës.

Por, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka theksuar se Kosova nuk e meriton të jetë pjesë e UNESCO-s. Kjo sepse, sipas tij Kosova nuk është shtet.

Autoritetet e larta serbe, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, por edhe qytetarë serbë, po zhvillojnë fushatë të intensifikuar kundër pranimit të Kosovës në UNESCO. Në rrjetet sociale, ata po publikojnë video të objekteve fetare ortodokse serbe, të cilat janë dëmtuar gjatë trazirave të vitit 2004 në Kosovë, duke i quajtur “argumente” për mospranimin e Kosovës në UNESCO.

Megjithatë, autoritetet e Kosovës patën marrë përgjegjësinë për riparimin e të gjitha objekteve fetare ortodokse serbe, të dëmtuar gjatë trazirave të vitit 2004. Menjëherë pas trazirave, Kuvendi i Kosovës pati ndarë buxhetin prej 3.5 milionë eurosh për renovimin e tyre. Ndërkaq, deri në vitin 2010, ky buxhet kishte arritur shumën rreth 10 milionë euro.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, në vitin 2010 patën deklaruar se janë riparuar 30 nga 35 objektet fetare të dëmtuar dhe se ishte duke u zhvilluar faza përfundimtare për riparimin e të gjitha këtyre objekteve.

Autoritetet serbe së fundmi kanë kritikuar edhe vendet, të cilat janë angazhuar për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Ministri i Jashtëm serb, Daçiq, ka theksuar se ministritë e jashtme të vendeve të Kuintit, “në kohën e krizës me migrantë dhe të terrorizmit, po merren me atë se kush dhe si do të votojë në Konferencën e Përgjithshme”.

Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s do të nisë punimet me 3 nëntor dhe do të përfundojë ato me 18 nëntor. Çështja e pranimit të Kosovës në këtë organizatë pritet të hidhet në votim me 9 nëntor. /REL/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/lufte-per-unesco-n/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala