Luftë më të rreptë kundër korrupsionit

Qeveria e Kosovës duhet të përkrahë zbatimin e reformave, Kuvendi duhet të nxjerrë ligjet e domosdoshme, por edhe populli i Kosovës duhet ta shprehë nevojën për luftë më të rreptë kundër korrupsionit. Kjo është porosia që Alina Romanowski, koordinatore e Departamentit të Shtetit për ndihmat amerikane për Evropë, dha për institucionet dhe popullin kosovar.
Në një intervistë për “Zërin”, Romanowski foli për fushat ku kërkohet më shumë punë, për ndihmat amerikane, ndërsa tregoi edhe për programin e hartuar së fundmi përmes të cilit bëhet ndjekja e aktiviteteve të paligjshme e kriminale në Kosovë.
“Fushat në të cilat po përqendrohemi janë të ndryshme. Punojmë me sektorin afarist dhe gjatë kësaj vizite kisha një drekë shumë të mirë me anëtarë të komunitetit tonë që përkrahin zhvillimin e bizneseve. Punojmë edhe me shoqërinë civile, që të bëhet shtytëse e fuqishme e çështjeve të ndryshme dhe që të përfaqësojnë pikëpamjet e ndryshme, si dhe ta përkrahin Qeverinë përderisa ajo i vazhdon reformat e saj”.
“Po punojmë shumë edhe në forcimin e sundimit të ligjit këtu në Kosovë, duke ndërmarrë projekte që mbështesin forcimin e gjyqësorit dhe të prokurorisë. Këtë e bëjmë përmes trajnimeve dhe duke ndihmuar me asistencë teknike rreth mënyrës se si mund të përforcohen procedurat. Gjatë kësaj vizite, vizitova edhe Policinë e Kosovës për të parë se si punojmë në forcimin e procedurave dhe të aftësisë së Policisë së Kosovës për respektimin e sundimit të ligjit. Punojmë edhe me bujqit kosovarë për ta zhvilluar bujqësinë si për konsumimin e brendshëm, por po ashtu edhe që eventualisht të ndihmojnë edhe për eksportin e prodhimeve kosovare në Bashkimin Evropian dhe në vendet tjera”, ka thënë ajo për “Zëri”.