Luan Hasanaj: Qeveria po injoron mjedisin e ndotur të Kosovës

Buxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për ambient, nuk është i mjaftueshëm as edhe për një komunë të vetme marrë parasysh ndotjen e madhe që ekziston në Kosovë.
Kështu shprehet Luan Hasanaj, koordinator i aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”.
“1% e buxhetit nuk mjafton as për zgjidhjen e problemeve mjedisore në një komunë, është për të ardhur keq që institucionet tona akoma nuk e kanë prioritet mjedisin në fakt është e pa kuptueshme dhe ç’do koment tjetër është i tepërt,” thotë ai.
Në një intervistë për Gazetën Fjala, e cila këtë javë ka krijuar Zonën e Gjelbër, një hapësirë brenda faqes së gazetës, që do t’i kushtojë rëndësi ambientit në vend, Hasanaj ka thënë se regjioni më i ndotur në vend është Prishtina.
Ai ka ftuar institucionet që të punojnë më shumë në vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e ambientit të pastër, si dhe në riciklimin e mbeturinave.
Intervista e plotë:
GAZETA FJALA: Që disa vite me radhë, ju jeni i angazhuan në incitiativën “Ta pastrojmë Kosovën”, dhe së bashku me vullnetarë të tjerë po merreni me këtë aktivitet. A jemi gati ta pastrojmë Kosovën?
LUAN HASANAJ: Me sa po shihet mbetet shumë punë për të bërë që të pastrohet Kosova, nëse e krahasojmë me 5 vite me përpara situata është më e mirë por nuk bëhet fjalë për Kosovë të pastër.
GAZETA FJALA: Cilat janë sfidat më të mëdha që përballet ambienti në Kosovë?
LUAN HASANAJ: Mjedisi në Kosovë përballet me shumë sfida, duke filluar nga zbatimi i ligjeve, infrastruktura si dhe mungesa e investimeve në riciklim.
GAZETA FJALA: Në buxhetin e vitit 2016, Qeveria e Kosovës ka ndarë vetëm 1% për ambient. A është i mjaftueshëm ky buxhet për të përmbushur kërkesat e kësaj fushe?
LUAN HASANAJ: 1% e buxhetit nuk mjafton as për zgjidhjen e problemeve mjedisore në një komunë, është për të ardhur keq që institucionet tona akoma nuk e kanë prioritet mjedisin në fakt është e pa kuptueshme dhe ç’do koment tjetër është i tepërt!
GAZETA FJALA: Çfarë duhet të ndërmarrë shteti që të ndalohet degradimi i ambientit?
LUAN HASANAJ: Riciklimi është zgjidhja e problemit, shteti duhet të krijoj lehtësira për bizneset të cilat shfaqin interes për investime në këtë fushë, privatizimi i ndërmarrjeve të grumbullimit të mbeturinave.
GAZETA FJALA: A do të duhej që të investohet më shumë në vetëdijesimin e qytetarëve rreth ruajtës ambientit në mënyrë që të mos të përballemi me situatë të tillë që kemi sot?
LUAN HASANAJ: Vetëdijesimi i qytetarëve është ndër faktorët kryesor që do ndikonte edhe në institucionet vendimmarrëse për të ndërruar qasje karshi mjedisit, mirëpo fatkeqësisht ndihma për fushatat vetëdijesuese është simbolike.
GAZETA FJALA: Cili është rajoni më i ndotur në Kosovë dhe në pastrimin e fundit që është bërë nga organizata juaj, sa tonë mbeturina janë larguar nga aty?
LUAN HASANAJ: Sipas hartizimit të deponive ilegale të realizuar nga organizata jonë e mbështetur nga organizata qeveritare Gjermane GIZ në Kosovë gjenden mbi 1300 deponi dhe rajoni më i ndotur është rajoni i Prishtinës. Në aksionin e fundit të pastrimit të Kosovës kanë marrë pjesë afër 50mijë qytetarë dhe janë larguar 86 deponi me mbeturina.
GAZETA FJALA: Sa ka interesim prej mediave dhe publikut në përgjithësi për ambientin?
LUAN HASANAJ: Unë mendoj qe interesimi për mjedisin në përgjithësi është i vogël nga të gjithë, dhe kjo është arsyeja që e kemi këtë gjendje./Gazeta Fjala
– See more at: http://gazetafjala.com/analiza/interviste-luan-hasanaj-qeveria-po-injoron-mjedisin-e-ndotur-te-kosoves/#sthash.szWQaRGY.dpuf