Lirohet buka shtrenjtohen vezët

Në muajin shtatorë vezët ishin më shtrenjtë se në muajin gusht për 2 për qind. Qytetarët, gjatë kësaj periudhe paguan më shtrenjtë edhe or qumështin, djathin e perimet.
Por, në përgjithësi, çmimet e konsumit në muajin shtator ishin për 0.3 për qind më të ulta se në muajin gusht.
Agjencia e Statistikave të Kosovës në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit tregon se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për përshkallëzimin e TVSH-së, ka ndikuar në masë prej -0.4 për qind në koston e jetesës në muajin shtator, krahasuar me muajin gusht 2015.
“Rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: buka dhe drithërat -1,9%, pemët -6,7%, furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin -6,3%, rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera -3,4%, përdorimi i pajisjeve për transportin personal -3,4% (rënie e çmimit të benzinës dhe naftës për -4,1%), shërbimet për transport -5,8% (rënie e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -1,0% për qind”, thuhet në raportin e IHÇK.
Ndërkaq, rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit te nëngrupet: qumështi, djathi dhe vezët 2,0% (ngritje e çmimit të vezëve), perimet 3,2%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 1,2%, prodhimet dhe pajisjet mjekësore 2.4%, blerja e automjeteve 1,5% me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,7% për qind në IHÇK.