Liria e mediave në Kosovë po përkeqësohet

Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka bërë thirrje Institucioneve të vendit, që të vënë në funksion mekanizmat ligjorë për të krijuar kushte të përshtatshme për punën dhe për për zhvillimin e lirisë së shprehjes.
Nën moton “ Fol, mos u tut”, Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës në ditën botërore të lirisë së shtypit, ka ftuar të gjitha instancat shtetërore për kushte më të mira të gazetarëve.
Kryetari i Asosacionit të gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, tha se lista e gazetarëve të kërcënuar e sulmuar është e gjatë dhe se sipas tij, kjo listë nuk përmban vetëm emrat e tyre por edhe rrezikshmërinë e jetës së tyre.
“Është lista e gjatë e kërcënimeve të kolegëve, nuk janë thjesht emra, data por janë jetërat e gazetarëve të cilët raportuan dhe vunë jetën e tyre në rrezik. Ata u sulmuan dhe u kërcënuan.Të bërit gazetari në Kosovë nuk është aspak e lehtë, kjo për shumë arsye duke filluar nga gjendja e rëndë financiare i mediave. Shumë gazetarë punojnë pa kontrata pune dhe nuk paguhen për punën e duhur. Dhe kjo gjendje veç sa vjen e përkeqësohet “ ka thënë Shabani.
Gjithashtu AGK fton edhe gazetarët të vazhdojnë me punën e tyre në raportimet e drejta duke mos u dekurajuar nga situata e krijuar.
Data e 3 majit është vendosur që të jetë si Ditë Botërore e Lirisë së Shtypit në vitin 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.