Linjë e re trageti mes Durrësit e Barit

Autori:Avdyl Pajaziti

Nga 31 korriku, në Terminalin e Portit të Durrësit nisin udhëtimet e linjës së re të tragetit Durrës-Bari “Rapsodi”, nga kompania prestigjioze italiane GNV.

Në ambientet e Terminalit të Portit të Durrësit u zhvillua ceremonia e përurimit të kësaj linje të re tragetesh, ku të pranishëm ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti ekzekutiv i kompanisë GNV, Roberto Martinoli, ambasadori i Italisë në Tiranë, Masimo Gaiani, përfaqësues të lartë të qeverisë italiane dhe autoriteteve portuale italiane, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, e të tjerë.

Gjatë fjalës së tij, Roberto Martinoli e cilësoi nisjen e kësaj linje të re si një arritje të rëndësishme në historikun e gjatë e të suksshëm të linjave të trageteve nga GNV.

“Trageti ynë ‘Rapsodi’ do të jetë një hap i madh përpara për afrimin midis dy vendeve. I ndërtuar në vitin 1996 dhe i restauruar plotësisht pranverën e këtij viti, Rapsody është një nga “perlat” e flotës së marinës sonë fale standardeve të larta, komoditetit dhe sigurisë së lartë që ai ofron” u shpreh Martinoli.

Në fjalën e tij, ambasadori i Italisë, Gaiani shprehu kënaqësinë për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni ndërsa theksoi se përurimi i kësaj linje është dëshmi e besimit të investitorëve italianë për të investuar dhe zhvilluar aktivitetet e tyre këtu.

Drejtori i Përgjithshëm i Porteve në Ministrinë e Transporteve në Itali, Enrico Puja vlerësoi përurimin e kësaj linje të re tragetesh si nisjen e një udhëtimi që do të afrojë edhe më shumë dy vendeve dhe dy popujt me njeri tjetrin.

Kryeministri Rama shprehu kënaqësinë që Shqipëria bëhet pjesë e destinacioneve të linjave të trageteve GNV ndërsa vlerësoi se tashmë qytetarëve shqiptarë do t’u ofrohet një shërbim transporti detar i sofostikuar me standarde të larta dhe siguri të lartë gjithashtu.

“Jam i lumtur që jam këtu. Nuk bëhet fjalë për ardhjen në vend të një anije të re. Nuk janë thjesht gjysmë milioni shqiptarë në Itali që duan të vinë në Shqipëri, por janë dhe 20 mijë italianë që duan të ikin në Itali. Për ne bëhet fjalë për hapjen enjë kapitulli të ri zhvillimi. Pasagjerët që duan të ikin përmes Italisë në Evropë, nuk mund tu ofrohet shërbim mizerabël. Ardhja e kësaj kompanie jo vetëm sjell standard të ri për këtë sektor, por rrit dhe sjell një shtyllë të fortë për rritjen e cilësisë. Jam po ashtu i bindur që dhe Shqipëria dhe shqiptarët kanë një përfitim të madh nga mbërritja juaj në portin e Durrësit”, u shpreh Rama.

Në fund të ceremonisë, Presidenti i GNV, Roberto Martinoli i dhuroi në mënyrë simbolike biletën e parë të udhëtimit Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama si dhe Ambasadorit të Italisë në Tiranë, Masimo Gaiani.

“Trageti Rapsodi” ka një kapacitet prej 2680 personash, 553 kabinash, 12 suita, 32 kabina me akses për kafshët, 700 automjete të transportueshme si dhe 50 kamionë të transportueshëm. GNV është themeluar në vitin 1992.

Në Itali, kjo kompani prestigjioze ka rreth 700 agjenci të shpërndara në të gjithë territorin. Në Europë, GNV përfaqësohet nga agjentët e saj dhe ka përfaqësi në pothuajse të gjitha shtetet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/linje-e-re-trageti-mes-durresit-e-barit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala