Limaj akuzon koalicionin aktual se po e dhunon shtetin

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, duke i komentuar zhvillimet e fundit në vend, ai konsideron se kjo që po bën Qeveria nuk është demokraci. Kjo, sipas tij, është logjikë e dhunimit të shtetit, popullit dhe të ardhmes së gjeneratave të reja.

Këto komente ai i bëri gjatë takimit me strukturat e NISMA-së në Gjakovë. Të pranishëm në këtë takim, përveç Limajt, kane qenë dhe anëtarë tjerë të kryesisë së NISMA-së të cilët janë pritur nga kryetari i kësaj dege Fazli Hoxha dhe udhëheqësia e kësaj dege.

Ndër temat për të cilat është folur në këtë takim të NISMA-së në Gjakovë ishin zhvillimet aktuale në Kosovë, roli i NISMA-së në këto zhvillime si dhe çështjet organizative të NISMA-së etj.

Kryetari Limaj në këtë takim tha se, Gjakova është një nga vendet më meritore për lirinë të cilën ne e gëzojmë sot.

“Sot, ne do donim dhe do të duhej të bisedonim për të arriturat e këtij vendi, por fatkeqësisht aktualitetet me të cilat po ballafaqohet vendi ynë janë jo të këndshme, janë gati të njëjtat me të cilat ballafaqohemi qe 15 vjet pas luftës” tha Limaj.

Limaj tha se pas fushatës zgjedhore më shumë mashtrime të PDK-së dhe LDK-së, e që kishin vetëm një objektiv, marrja e votës prej qytetarëve, nuk ka  ndryshim në jetën e tyre familjare. “Nuk ka vende të reja të punës siç kishin premtuar, nuk ka përkujdesje shëndetësore, nuk ka përmirësim as në arsim, administratë, ekonomi, askund, që në një qeverisje normale së paku do të shihej përpjekja për përmirësime.

“Që një vit ky koalicion është marrë vetëm me dy çështje për të cilat edhe është bërë ky koalicion, Gjykata Speciale dhe bisedimet me Serbinë”, thuhet në njoftim, raporton lajmi.net.

Sipas Limajt, Nisma çdoherë ka kërkuar që të nxirren konsensuse për tema nacionale, por ky koalicion aktual, ai thotë se, nuk i kanë thirrur asnjëherë

“Qeveria nuk ka të drejt të vendos për diçka të cilën nuk ia ka dhënë mandatin populli. Nuk mund të vendoset për fatin e popullit të Kosovës pa e marrë pëlqimin e popullit për këtë punë” tha Limaj.

Kryetari Limaj tha se, NISMA për Kosovën nuk mundet të hesht dhe të mbështet diçka që është kundër interesit të Kosovës, prandaj jemi rreshtuar aty ku jemi, për të mbrojtur interesin e vendit tonë, sepse këto marrëveshje të kësaj Qeverie do të rezultojnë në ndarjen etnike të Kosovës, duke formalizuar dhe legalizuar ndikimin politik të strukturave ilegale të Serbisë mbi një pjesë të territorit të Kosovës, që nuk është në interes as të shqiptarëve e as të serbëve.

Po ashtu edhe marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi ia humb Kosovës mbi 10 mijë hektarë të territorit. Këto për Nismën dhe për opozitën janë të papranueshme. Kjo që po ndodh, nuk do duhej të ndodhte sepse Kosova ka përfunduar kompromiset me Serbinë që me Pakon e Ahtisarit.

“Është mirë dhe duhet që për çështjet madhore e nacionale të pyetet populli. Nëse qytetarët përmes referendumit vendosin që kjo marrëveshje është e pranueshme, atëherë edhe ne si opozitë do ta pranojmë”, tha në fund të takimit kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj./lajmi.net.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/limaj-akuzon-koalicionin-aktual-se-po-e-dhunon-shtetin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala