Lila, futbollisti i Serie A me xhepa bosh

Autori:Avdyl Pajaziti

Nofka e tij është “Luftëtari” dhe fakti që mund të luajë njëlloj si në mbrojtje ashtu edhe në mesfushë, shpjegon mirë përse. Mbetet ende shumë pak e kuptueshme se si mesatarja e tij e golave është si e një trekuartisti: 2 gola në 4 ndeshje, gjithmonë në transfertë. Fillimisht në Rexhio Emilia kundër Sasuolos, pastaj në Milano kundër Interit. Andi Lila është një prej blerjeve të janarit te Parma. Një nga risitë që kaluan në heshtje, pasi fatkeqësisht, risitë më të zëshme ishin të tjera, në nivelet drejtuese.

Zbulimi

Lila mbërriti në ato pak ditë kur president i klubit ishte Rezart Taçi, edhe ai shqiptar. “Falënderime familjes Taçi. Shpresoj t’u shpërblej besimin ndaj meje”, ishte shkrimi në “Facebook” i Lilës në fundin e vitit 2014, i sapombërritur në Itali nga radhët e grekëve të PAS Janinës. Me atë frazë të postuar në rrjetin social më të famshëm në botë, zbuloi emrin e investitorëve të rinj që ishin të gatshëm për të marrë klubin nga Tomaso Girardi.

Me shpenzimet e tij

Besimin ai po e shpërblen, edhe pse me shpenzimet e tij. Në mënyrë që të realizonte transferimin te Parma, në janar ai i la PAS Janinës disa rroga të prapambetura. Fatkeqësisht për të, që kur ka mbërritur në Emilia, nuk ka futur ende në xhep asnjë rrogë. Ndoshta një zgjedhje fatkeqe, e justifikuar nga dëshira për të shpërthyer, pasi kishte lëvizur në 4 klube mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në radhët e kombëtares shqiptare të Xhani De Biazit, ai është një pjesë fikse e grupit, duke llogaritur se regjistron 53 ndeshje (me zero gola të shënuar). Andi, i martuar me bashkëkombësen e tij Ornela dhe prej pak kohësh babai i një djali (Ayan), përfaqëson ëndrrën e realizuar të babait të tij. Ai shpresonte që Andi të mund të shpërthente në futboll pikërisht në vendin që e kishte pranuar shumë vite më parë si emigrant. Histori jete, të përfshira në një kontekst aspak të thjeshtë.

Integrimi

Lila po mundohet të mësojë italishten, pasi anglishten nuk e flet dot. Ndërkohë mund t’i gëzohet mbështetjes thelbësore të magazinierit te Parma, Fatmir Velaj (Vladi për të gjithë), shqiptar edhe ai, që po e ndihmon të integrohet. Vladi e ka shumë për zemër situatën e tij, aq sa pasi e pa duke shënuar, u mallëngjye. Festimi i Lilës, një shqiponjë e krijuar me të dyja duart, kujton simbolin e flamurit shqiptar. Absolutisht profesionist, mban veten në formë duke vrapuar edhe para apo pas stërvitjeve, në qendër të Parmës, në parkun Çitadela, një prej vendeve që parmixhianët kanë më shumë për zemër. I ndrojtur dhe i sjellshëm, ai është antiheroi që zgjidh problemet. Frymëzohet nga një frazë e Kuranit: Pas vështirësive, vjen lehtësimi.

Marrë nga “La Gazzetta Dello Sport”

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/lila-futbollisti-i-serie-a-me-xhepa-bosh/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala