Ligji për Aftësim e Punësim nuk po zbatohet për personat e verbër

Autori:Gazeta Fjala

Sikur të punonte, ndoshta do të kishte ndonjë ëndërr tjetër, por halli i saj mbetet puna. Me gjithë studimet që ka mbaruar, kurset që ka ndjekur, ajo ende rri në shtëpi. Thotë, nëse nuk do të ishte e verbër, ndoshta do të mund të punësohej. Gjithë ato vjet shkollim dhe ndjekje të trajnimeve, Fatbardha Salihut i kanë mbetur vetëm në letër. 26 vjeçarja nga Prishtina, bënë lutje që institucionet shtetërore t’u hapin rrugë zhvillimi edhe personave me aftësi të kufizuar.

Fatbardha Salihu, ka mbaruar studimet bazike dhe master në Psikologji. Tani është në përfundim të punimit të temës së diplomës. Ka ndjekë trajnime të ndryshme. E ka edhe licencën për psikologe por nuk po mund ta ushtrojë profesionin, as si psikologe ,as si mësimdhënëse, transmeton ksp.

Ajo tregon se në konkurset për punësim e ka cekë që bënë pjesë në kategorinë e personave të verbër, me shpresë që kjo do t’i jap ndonjë përparësi, ashtu siç edhe e parasheh ligji por krejt kjo nuk ka pas ndonjë efekt pozitiv. Fatbardha rrëfen dëshirën që ka për të qenë e punësuar.

“Sa herë që lexoj e sa herë që punoj diçka në kompjuter, gjithnjë dëshiroj të punoj, qoftë si psikologe, qoftë si mësimdhënëse, mirëpo edhe në raportet e përditshme me njerëz, çdo ditë më kujtohet që e kam profesionin e psikologes dhe dëshiroj të jem psikologe, e kam ëndërr, bile shumë e madhe”, thotë ajo.

T’i mbarojë gjithë ato vjet studime, për Fatbardhën nuk qe aspak e lehtë. Por me ndihmën e incizimit të librave, ajo ia ka dalë që të kryejë me sukses studimet.

Ajo tani ndjehet e gatshme të ushtroje profesionin e psikologes, apo edhe të mësimdhënëses. Është gati edhe të punojë drejtë thyerjes së paragjykimeve të shoqërisë, për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar. Është gati të tregojë se mund të jenë të barabartë. Por ajo ka vetëm një frikë.

“I vetmi problem ose frikë që e kam, është teknika, sepse nevojitet një teknikë më e veçantë, do të thotë kompjuteri e ka një program të veçantë foljor dhe materialet që mua më nevojiten me qenë në mënyrë elektronike ose në alfabetin Braille, atëherë nuk besoj që do të kem problem”, thotë ajo.

Ani pse Ligji për Aftësim dhe Punësim për personat me aftësi të kufizuar, parasheh që institucionet publike të kenë 1 në 50 persona të punësuar me aftësi të kufizuar kjo nuk po zbatohet.

Shoqatat e personave me aftësi të kufizuar shprehën të shqetësuara rreth zbatimit të këtij ligji. Kryetari i Shoqatës së Personave të Verbër në Kosovë, Bujar Kadriu thotë se gjenerata të reja ka fare pak të punësuar të kësaj kategorie. Ata që janë, sipas tij, shumica datojnë që nga koha e ish-Jugosllavisë.

“Ky numër është afërsisht 22 persona të verbër që janë të punësuar në institucionet publike dhe ky është një numër jashtëzakonisht i vogël, e kjo përveç që është një sfidë konsideroj që është shkelje të drejtave të njeriut me mosrespektimin e Ligjit për Aftësim e Punësim”, thotë ai.

Sipas tij, janë mbi 2000 persona që u është njohur e drejta ligjore për statusin e personit të verbër. Arsyeja që institucionet nuk po i hapin dyert për kategorinë e peronave me aftësi të kufizuar, Kadriu thotë se është edhe tek paragjykimet që kanë për këtë kategori.

Drejtori i shoqatës HENDIKOS, Afrim Maliqi thotë se nëse vetëm institucionet do të zbatonin Ligjin për Punësim, do të shënohej një arritje e madhe.

Por ajo çka po krijon problem, sipas Maliqit, është përmbajtja e Ligjit për Punësim dhe ajo e atij që vlerëson pa-aftësinë e personave me aftësi të kufizuar. Ky i fundit, i njeh ata si të pa-aftë për punë, me ç’rast edhe u garanton të drejtën e një pensioni, derisa i dyti u jep mundësi për punësim.

E ajo çka po i brengos këta persona është fakti se nëse kyçen në ndonjë vend pune, qoftë ajo punë vetëm sezonale, atyre me automatizëm u ndërpritet pensioni, gjë që për ta kthyer pastaj, u merr shumë kohë.

Afrim Maliqi mendon se edhe kjo është një nga arsyet që personat me aftësi të kufizuar nuk po punësohen.

“Kemi raste kur kemi projekte të ndryshme, projekte të vogla, disa muaj, dhe i ftojmë njerëzit me aftësi të kufizuar që të punësohen gjatë asaj periudhe, ata hezitojnë sepse thonë, nëse punësohemi ne do ta humbim këtë të drejtë dhe dy vite nuk kanë të drejtë ta marrin më atë të drejtë. Qëllimi jonë është që nëse ai person e merr atë skemë, për disa muaj, ajo shumë të ngrihet, dhe në momentin që e përfundon punën, të fillojë ta marrë atë. Kjo do të ishte ideja më e mirë, marrëveshja më e mirë, që personin me aftësi të kufizuar do ta stimulonte të kërkonte punë”, thotë ai.

Por Fatbardha Salihun nuk e ndalë kjo. Ajo dëshiron që vetëm të punësohet, nuk i paraqet problem ndalja e pensionit, pasi që i rëndësishëm është punësimi për të cilin edhe është shkolluar.

Se ligji për punësim për personat me aftësi të kufizuar nuk po gjen zbatim, e thonë edhe në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione. Kryetarja e këtij komisioni, Lirije Kajtazi thotë se do të bëjnë presion që ligji të gjejë zbatim nëpër institucione.

“Nuk është zbatuar ligji për aq sa duhet. Ligjet tani për tani janë mirë sepse janë shumë më përpara sesa gjendja aktuale. Çka duhet të ndryshojmë apo çka duhet të insistojmë është në zbatimin e ligjit e ndoshta ne si komision, me përgjegjësi në monitorim dhe zbatim do t’i nxjerrim rekomandimet për Kuvend dhe ata do t’i rekomandojë institucionet e caktuara, si qeverinë, ministrinë apo këdo që është përgjegjës, që të bëjë më shumë në këtë drejtim”, thotë ajo.

Edhe deputeti nga 6+, Kujtim Paçaku shpreh shqetësim lidhur me punësimin për këtë kategori. Ai thotë se do të bëjnë çfarë munden për respektimin e të drejtave të tyre.

“Mjerisht pak po dëgjohet që po punësohen, sidomos personat me aftësi të kufizuar, këta që janë të verbër apo edhe ata me aftësi të kufizuara fizikisht”, thotë ai.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që është sponsorizues i ligjeve për këtë kategori të personave, nuk jep shifra se sa persona me aftësi të kufizuar janë të punësuar e sa në pritje. Zyrtarë të kësaj ministrie veç tregojnë se në këtë institucion janë të punuar 4 persona me aftësi të kufizuar.

Numri i personave me aftësi të kufizuar në Kosovë nuk dihet saktë sa është. Flitet për mbi 170 mijë. Personat me aftësi të kufizuar, në shoqërinë kosovare, njihen si jo pak të diskriminuar e paragjykuar nga rrethi. Ata po përballen me jetën e “të papunit”, ku edhe po mbesin pasiv për gjithë jetën e tyre.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ligji-per-aftesim-e-punesim-nuk-po-zbatohet-per-personat-e-verber/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala