Ligjet për Specialen, i shkojnë presidentes

Autori:Avdyl Pajaziti

Ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale, i janë përcjellë Zyrës së Presidentes gjatë ditës së djeshme.

Kjo konfirmohet për radio Dukagjinin nga Presidenca e Kosovës përmes një përgjigje elektronike.

Presidentja, thuhet më tej në përgjigje do të veprojë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe në përputhje me rrethanat e reja ligjore të krijuara ndërkohë.

Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Ligji për Mbrojtjen Juridike dhe mbështetjen financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara u miratuan nga Kuvendi i Kosovës në procedurë të shpejtë në ditën e miratimit të amendamenteve kushtetuese që kanë të bëjnë me themelimin e Gjykatës Speciale dhe presin dekretimin e presidentes.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës i jep presidentes tetë ditë afat që t’i dekretojë apo refuzojë.

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim lëndën, e cila ka në përbërje kontestimin e procedurave për riprocedim dhe votim të amendamentit 24 për Gjykatën Speciale.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ligjet-per-specialen-i-shkojne-presidentes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala