Ligjet e Speciales ende nuk janë dërguar te Presidentja

Autori:Avdyl Pajaziti

Dy ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në procedurë të shpejtë në ditën e miratimit të amendamenteve kushtetuese që kanë të bëjnë me themelimin e Gjykatës Speciale, ende nuk janë dërguar te Presidentja e Kosovës për dekretim, nëntë ditë pas votimit.

Arbër Vllahiu, Këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga, tha për KALLXO.com se ligjet e miratuara- Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Ligji për Mbrojtjen Juridike dhe mbështetjen financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara- nuk kanë ardhur ende në Zyrën e Presidentes.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk cakton ndonjë afat për Kuvendin që ligjet e miratuara t’i dërgojë te Presidentja për dekretim ndërsa i jep kësaj të fundit tetë ditë afat që të ta dekretojë apo refuzojë dekretimin e ligjit të dërguar.

Në rast refuzimi, Kuvendi është i obliguar t’i shqyrtojë vërejtjet e dhëna nga Zyra e Presidentes ndërsa kjo e fundit nuk ka të drejtë që ta kthejë atë ligj për herë të dytë në Kuvend.

Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Tri partitë opozitare, Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën, sot do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese një ankesë ndaj votimit për ndryshimet kushtetuese që i prinë miratimit të këtyre dy ligjeve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ligjet-e-speciales-ende-nuk-jane-derguar-te-presidentja/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala