Liburn Aliu pranoi se punësoi burrin e Albulena Haxhiut, thotë se ai është punëtor i madh

Autori:Avdyl Pajaziti

Punësimet partiake në Komunën e Prishtinës po vazhdojnë derisa udhëheqësit e komunës po krenohen për veprime të tilla. I fundit që është rehatuar me një vend pune me kontratë mbi vetëpr është Alban Krasniqi, burri i deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Vetëvendosje kishte tentuar para një vit ta punësonte Krasniqin në Komunë. Por, herën e parë patën dështuar të emërojnë udhëheqës të pastrimit në Kryeqytet.
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu pranon se bashkëshortin e Albulena Haxhiut, Alban Krasniqin e ka angazhuar vet ai.

Sipas tij, punëtor më i madh se Krasniqi nuk gjendet në Komunën e Prishtinës dhe se çfarë ka bërë ai në legalizimin në këtë komunë, Aliu beson se nuk do të mund ta bënte askush.

Fjalë të tilla pati edhe për Sali Zybën, që sipas tij, inspektorati ish dashtë të mbyllet nëse nuk do të ishte Zyba.

Kështu në një intervistë në Klan Kosova, ai pranoi se ka aktivistë të Vetëvendosjes të punësuar në Komunën e Prishtinës, e që janë me kontratë mbi vepër.

Tha se gjithmonë do të zgjedh njerëz që u beson dhe që janë të përkushtuar.

“Alban Krasniqi ka pas rrogë edhe më të madhe diku tjetër, por unë e kam ftu që të punojë me ne, sepse ja njoh kapacitetet”, tha ai.

Tha se kanë angazhuar njerëz me kontratë mbi vepër, ngase Ligji nuk e lejon që të punësohen si shërbyes civil.

Kur u pyet nëse do të jep dorëheqje, ngase disa asamblistë të Kuvendit Komunal të Prishtinës nuk do të shkojnë në seanca derisa Aliu është aty, tha se vetëm nëse ia kërkon kryetari e bënë këtë.

“Unë kam dhënë dorëheqje nga detyra e deputetit, ma kanë kërkuar Vetëvendosje, gatishmërinë time për ta bërë punën time që konsiderojmë bashkë çdo herë jam i gatshëm. Në momentin që kërkon kryetari që me dhënë dorëheqje do e bëjë. Por, unë mendoj që as kryetari e as unë nuk duhet që të nënshtrohemi në kërkesat e atyre që duan ta kthejnë Prishtinën në të kaluarën. Pasojat e asaj kohe do i vuajmë shumë gjatë”, tha ai. /Zeri

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/liburn-aliu-pranoi-se-punesoi-burrin-e-albulena-haxhiut-thote-se-ai-eshte-punetor-i-madh/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala