Liburn Aliu mban diskutim publik me banorët e lagjes Mat

Autori:Avdyl Pajaziti

Diskutimi publik në lagjen Mati, në shkollën “Mitrush Kuteli”, kryesisht është koncentruar në problemet individuale të banorëve të cilët kërkuan nga drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu, sqarime lidhur me mundësitë dhe kushtet e ndërtimit.

“Drejtori Aliu shpjegoi se sipas Planit Zhvillimor Urban (PZHU) në këtë pjesë të kryeqytetit parashihen kryesisht disa ndërtime individuale ose të mesme, ndërsa sqaroi se shumica e banorëve të interesuar nuk mund të pajisen me leje të ndërtimit shkaku i këtij plani të miratuar nga qeverisja e kaluar dhe se njëra prej mënyrave që të bëhet një zgjidhje është shfuqizimi i PZHU – së. Aliu tha se planifikohet që për lagje të mëdha të bëhen zgjidhje në bllok, me marrëveshje midis pronarëve, ndërsa në pyetjet se çfarë do të ndodh me lagjen Mat 1, ai u shpreh se kjo lagje duhet të adaptohet brenda mundësive, me disa devijime të rrugëve që imponohen shkaku i ndërtimeve me leje që janë dhënë në të kaluarën. Drejtori Aliu tha se kjo lagje nuk mund të ndryshohet shumë, mirëpo qëllimi është që të përfitohet sa më shumë hapësirë”, thuhet në njoftim.

Pjesëmarrësit në këtë diskutim kërkuan që të kuptojnë se sa kohë duhet për t’u shfuqizuar ky plan dhe njëkohësisht raportuan edhe për probleme me kanalizime, mungesë të ndriçimit të rrugëve, si dhe u shprehën të shqetësuar për mungesën e trotuareve veçanërisht në rrugën kryesore të kësaj lagjeje ku ndodhet shkolla, gjë që vë në rrezik jetën e nxënësve.

Njëkohësisht, drejtori Aliu në këtë diskutim publik i njoftoi banorët edhe për projektin e emërtimit dhe numërtimit të rrugëve, ndërsa i informoi banorët se një pjesë e rrugëve të kësaj lagje janë në fazën e tenderimit dhe së shpejti pritet shtrimi i tyre me kubëza.

“Po ashtu, në pyetjet e banorëve lidhur me procesin e legalizimit, drejtori Liburn Aliu tha se tashmë është përmbyllur faza e parë e këtij procesi – regjistrimi i objekteve pa leje dhe se në regjistër janë evidentuar 46 mijë ndërtime pa leje. Aliu tha se ligji për ndërtimet pa leje është mjaft tolerant, mirëpo, sipas tij, jo të gjitha objektet do të legalizohen”, thuhet më tej në njoftim.

Diskutimi i radhës publik do të mbahet sot, e mërkure 17 qershor, me banorët e lagjes “Dardania” me të cilët do të diskutohet për çështjet e infrastrukturës rrugore dhe hapësirave publike. Të pranishëm në këtë diskutim do të jenë drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kadastrit, Nora Kelmendi. Diskutimi do të mbahet në ora 18:00, në shkollën “Dardania”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/liburn-aliu-mbn-diskutim-publik-me-banoret-e-lagjes-mat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala