Librat e kufirit

Autori:Zekirja Shabani

Ka kaluar një muaj e më shumë që kur dy kamionë më libra në gjuhen shqipe janë bllokuar në terminalin doganor te Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen, nga ana e Serbisë, të shkojnë për nxënësit shqiptarë në Luginë.

E kjo ndalesë po i kushton shtëpive botuese nga 15 euro për cdo ditë qëndrimi në terminal doganor.

Bajram Shatri, drejtor i shtëpisë botuese “Libri Shkollor”, e ka konfirmuar për Gazetën Fjala këtë pagesë.

Edhe Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami ka thënë ditë më parë për medie se institucioni që ai udhëheqë detyrohet të paguaj 400 euro parking për kamionët të cilët nuk po lejohen të kalojnë.

Mirëpo përveç dëmeve financiar që po shkaktohen nga shkelja e kësaj marrëveshje, janë nxënësit e shkollave fillore të Luginës, ata që po e vuajnë me së shumti në mungesë të teksteve të reja në gjuhën shqipe.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë ishin dakorduar që të lejoheshin tekstet shkollore të Serbisë për në zonat ku jetojnë dhe shkollohet komuniteti serb në Kosovë në këmbim që këta të fundit të lejojnë dërgimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Sipas kësaj marrëveshje qysh në fillim të shtatorit këta nxënës duhet të pajiseshin me libra shqip të botuara në Republikën e Kosovës por pavarësisht së ka kaluar më shumë se një muaj që nga fillimi i vitit shkollor këto tekste nuk kanë arritur ende në bankat e tyre shkollore.

Ndërsa pas bllokimit të librave në gjuhën shqipe nga pala serbe, pala kosovare ka vënë masa reciprociteti në pranimin e librave në gjuhen serbe në Kosovë./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/librat-e-kufirit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala