Liberalizimi i vizave esencial për stabilitet në vend

Demarkacioni me Malin e Zi, ka qenë kriter për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, sikurse që marrëveshja për asociacionin e komunave serbe është produkt i procesit të Brukselit. Këto dy marrëveshje sot po përdoren nga partitë opozitare si arsyet kryesore për bllokimin e punës së Kuvendit.
Të gjitha këto marrëveshje janë në kuadër të agjendës evropiane të Kosovës. Kështu thonë burime ndërkombëtare të Indeksonline, sipas të cilave BE-ja nuk duhet vonuar në shpërblimin e Kosovës, sepse çfarëdo vonesë e tyre mund të rris edhe më shumë frustrimin e qytetarëve, i cili po tentohet të manipulohet dhe keqpërdorët nga partitë e opozitës.
“Vonesat e BE-së për shpërblimin e Kosovës ka rritur pakënaqësinë te qytetarët dhe mosbesimin e tyre tek Qeveria se procesi i Brukselit dhe këto marrëveshje me të vërtet po e sjellin vendin më afër BE-së, siç ka premtuar Qeveria, por edhe vetë shtetet anëtare të BE-së”, thotë një përfaqësues diplomatik i huaj, sipas të cilit këto shqetësime i kanë adresuar edhe në Bruksel.
Sipas këtyre burimeve, përderisa MSA do të jetë një hap kyç në agjendën evropiane, kjo marrëveshje nuk është e prekshme për qytetarët, por liberalizimi i vizave është vital për stabilitetin në vend dhe kredibilitetin e reformave të nxitura nga Bashkimi Evropiane. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon pa të drejtë të lëvizjes së lirë në shtetet e zonës schengen dhe kjo situatë po rëndon gjendjen në Kosovë. Tre vendimet e vështira që kjo Qeveri ka marrë sivjet, si Gjykata Speciale, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe demarkimi i kufirit me Malin e Zi, të gjitha të ndërlidhura me agjendën evropiane kanë provokuar një situatë të vështirë dhe stabiliteti pa karotat e BE-së do të jetë sfidues për t’u mirëmbajtur.