Letra nga burgu e deputetit Faton Topalli

Autori:Zekirja Shabani

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli,  nga qendra e paraburgimit u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë ta kundërshtojnë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe.

Në një letër publike ai thotë se është burg për shkak se ka kundërshtuar kthimin e pushteti serb në Kosovë.

“Për të njëjtën arsye jam ndjekur nga pushteti serb për 20 vite me radhë”, shkruan Topalli.

Lexojeni të plotë letrën e deputetit Faton Topalli:

Të dashur miq, shokë, shoqe,
Të dashur aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje!
Po ju shkruaj nga qendra e paraburgimit në Prishtinë. Në pamundësi për ti shkruar secilit veç e veç po ju drejtohem me një letër publike, përmes së cilës dua të ju falënderoj për mbështetjen para dhe pas arrestimit tim. Kur Kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij Thaqi urdhëruar nga foltorja e improvizuar e Kuvendit të Kosovës arrestimin e deputetëve të Opozitës, ndodhesha për vizitë familjare në Zvicër dhe për punë personale.
Disa media publike shkruan se ndodhesha në arrati, gjë që u vërtetua si e pavërtetë. Nga mjetet publike të informimit morra vesh se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar për mua një fletë arrest.
U ktheva në Kosovë i vetëdijshëm se do të arrestohesha , pasi nuk e kisha ndërmend ti ikja drejtësisë. Sot ndodhem në burg për shkak se kam kundërshtuar kthimin e pushteti serb në Kosovë. Për të njëjtën arsye jam ndjekur nga pushteti serb për 20 vite me radhë.
Në këtë qeli në të cilën ndodhem unë kanë qëndruar dhjetëra e qindra atdhedashës që kanë kundërshtuar pushtetin serb në Kosovë. Mustafa e Thaqi duan ta jetësojnë Zajednicën përmes arrestimit të deputetëve të Opozitës. Ne ju treguam se Zajednica nuk kalon! Ideali ynë për një shtet sovran është më i fuqishëm se çfarëdo represioni të pushtetit dhe mekanizmave të tij!
Unë ju ftoj të gjithë juve që më keni nderuar duke më votuar për t`ju përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, ta kundërshtoni Zajednicën.
Lufta jonë politike nuk është luftë për pushtet , ajo është luftë për shtet. Pushtetin ne do ta fitojmë me votë.
Pushteti ynë do të jetë pushtet i qytetarëve, ndërsa ne si forcë politike shërbyes të tyre./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/letra-nga-burgu-e-deputetit-faton-topalli/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala