“Letër vajzës së palindur”

Autori:Gazeta Fjala

E dashur vajza ime,

E dashur, babi yt do të mundohet të bëhet muzika e valles tënde, por, pa ta imponuar ritmin: atë do e zgjedhësh vetë.

Babi yt do t’i shohë vizatimet tua, do t’i lexojë vjershat tua, dhe nuk do të t’i këpusë krahët duke ta treguar vetëm një rrugë, por do të t’i rrisë krahët që ti ta zgjedhësh rrugën tënde.

E dashur, babi yt shkruan libra, por nuk do ta shkruajë librin e jetës tënde, atë do ta shkruash vetë dhe babi do ta dojë më shumë se librat e tij.

Në qoftë se unë e pres ardhjen tënde në botë, uroj që ti ta presësh ikjen time nga bota dhe, nëse veç të t’i hap rrugët kam arritur: mos më vajto!

Babi nuk ta mëson alfabetin e abetares që t’i lexosh librat e tij, por të njofton me alfabetin e botës, që ta lexosh botën në sy dhe jetën në det. Jo në detin e kufizuar që ndotet pikërisht prej atyre që thonë se po e ruajnë, por në detin e madh ku ti mund ta shohësh edhe ujin e ndotur, edhe të pastërtin.

Fort e dashur vajza ime, të siguroj që do të luftoj me krejt planetin që ti të mos ndjesh turp për gjininë tënde dhe trupin tënd. Të siguroj se mënyra sesi të sheh babi, nuk do të varet kurrë nga organet tua.

Dhe krejt në fund, të siguroj se ti, e dashur vajza ime, je shumë më e shtrenjtë për mua sesa moralistët idiotë që tentojnë të na tregojnë ”ç’është e mirë” dhe ”ç’është e keqe”. Për mua nuk do të jesh ”nderi i familjes” duke qenë e turpshme.

Për mua je nderi im dhe i nënës tënde, e në radhë të parë i vetes, duke qenë plotësisht vetvetja. Jo me moralin tim, por me moralin tënd.

Të dua pafundësisht,

Babai yt.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/leter-vajzes-se-palindur/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala