Leskaj polemizon në KE me Conten për Kosovën

Autori:Avdyl Pajaziti

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, njëherësh edhe zëvendëspresidente e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, gjatë punimeve të sesionit të vjeshtës së AP të KE-së, (të zhvilluara këtë javë) ka ngritur si shqetësim mungesën e vizitës së raportuesit për Kosovën, Agustín Conte, i cili raportoi pikërisht për këtë shtet, por duke mos kryer asnjë vizitë në Kosovë.

Nisur nga fakti se Conte e kreu vizitën e parë në Serbi dhe ende nuk ka shkuar në Kosovë, ndërkohë që është raportuesi i Kosovës e jo i Serbisë, Leskaj inkurajoi Conte të vizitojë Kosovën dhe të zhvillojë kontakte me autoritetet kosovare, me përfaqësues të shoqërisë civile dhe faktorë të tjerë, duke reflektuar në raportin e APKE-së edhe progresin që ka shënuar Kosova.

Në një intervistë për KosovaPress, Leskaj tregon me detaje replikën e saj me raportuesin spanjoll Conte.

“Prej gati një viti është caktuar një raportues për Kosovën, Agustin Conte, deputet spanjoll i cili këtë herë në Komitetin e Çështjeve Politike dhe të Demokracisë paraqiti një informacion lidhur me situatën në Kosovë. Pra në agjendën e Komitetit të Politikave ishte situata në Kosovë, dhe ky është raportues për Kosovën. Në fakt raportuesi ka bërë një vizitë në Serbi, ku ka takuar përveç autoriteteve serbe nga presidenti, kryeministri dhe të gjithë autoritetet serbe, ka takuar dhe tre përfaqësues të qeverisë së Kosovës, që janë zëvendëskryeministri dhe dy ministrat të cilat janë natyrisht serbë. Normal që kur bën një raport për Kosovën vizita e parë duhet bërë në Kosovë, ndërkohë që raportuesi Conte vizitën e parë e bëri në Serbi, prodhoi një raport për Kosovën ndërkohë që nuk e kishte vizituar Kosovën, por që iu referua takimit që ka bërë me tre përfaqësues të qeverisë. Kështu që besoj se nuk është normale, nuk është në standardet e Këshillit të Evropës që nëse ti nuk ke bërë vizitë në vendin përkatës, pasi ai nuk është raportues për Serbinë por është raportues për Kosovën”, shpjegoi Leskaj qëndrimin e saj.

Ndërkohë në të njëjtën linjë mendimi me Leskajn ka qenë edhe nënkryetari i Parlamentit të Kosovës, Xhavit Haliti i cili edhe ai ka bërë replikë me Conte. Duket se nga kritikat e palës shqiptare raporteri Conte ka vendosur të vizitojë Kosovën këtë javë, në datat 5-7 tetor.

“Z.Xhavit Haliti i ka bërë një pyetje në fakt për vizitën, e ndërkohë edhe unë veç pyetjeve i kam bërë replikë. Kam shkëmbyer disa replika me z. Conte, në radhë të parë se pse nuk e ka bërë vizitën e parë në Kosovë dhe një raport që prodhohet për Këshillin e Evropës nuk mundet që të vijë pa pasur një vizitë në vendin ku ai është reporter, dhe së dyti si mund ta quaj të ezauruar takimin apo le të themi informacionin për Kosovën duke takuar vetëm 3 përfaqësues të qeverisë së Kosovës por që janë nga komuniteti serb.

Natyrisht që reporteri Conte u përgjigj se do të shkojë në tetor në Kosovë dhe unë i kam kërkuar që të takojë autoritetet kosovare të të gjithë hierarkisë duke filluar që nga presidentja,kryeministri, ministrat, natyrisht edhe Parlamentin, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktorë dhe faktorë të tjerë në Kosovë. Besoj që kjo e fut informacionin dhe raportin, por dhe vetë pozicionin e raportuesit Conte në standardet e Këshillit të Evropës. Një raport i Këshillit të Evropës nuk mund të burojë nga preferenca apo zgjedhje personale që mund të jenë të reporterëve për të shkuar nga një vend në një vend tjetër“, tha Leskaj.

Pas vizitës që do të zhvillojë në Kosovë do të përpilohet një raport i ri nga ana e Contes, dhe që do të paraqitet në mbledhjen më të afërt të Komitetit të Politikave dhe Çështjeve të Demokracisë, e cila pritet të mbahet në Paris.

Ajo tha se Conte më tepër se një vlerësim për punën dhe progresin që ka bërë Kosova, foli në fakt më shumë për sundimin e ligjit për luftën kundër korrupsionit dhe natyrisht fuqizimin e institucioneve demokratike. Ndërsa vetë zëvendësresidentja e AP të KE-së dhe nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj ka theksuar se duhet reflektuar në raportin e AP të KE-së progresi që ka shënuar Kosova në drejtim të kapërcimit të sfidave me të cilat përballet si një shtet i ri demokratik.

Leskaj vuri në dukje përparimin e Kosovës në rrugën e konsolidimit demokratik, duke demonstruar vullnet dhe angazhim të qartë ndaj vlerave evropiane, si dhe për stabilitetin në rajon.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/leskaj-polemizon-ne-ke-me-conten-per-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala