Lëshohen nga jashtë mbi 100 mijë dokumente për Kosovarët

Autori:Avdyl Pajaziti

Shtetasit e Kosovës që jetojnë në shtete të ndryshme të botës, mund të nxjerrin pasaporta, letërnjoftime dhe dokumente të tjera personale të Kosovës edhe aty ku jetojnë.

Pakoja e shërbimeve në misionet diplomatike dhe konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme përfshin shumicën e shërbimeve që institucionet ua ofrojnë qytetarëve brenda vendit, të cilat shtetasit kosovarë mund t’i marrin ato çdo kund ku ka shërbime konsullore dhe diplomatike të Kosovës.

Aplikimi dhe pajisja me letërnjoftim biometrik, me pasaportë, pastaj edhe aplikimi për fitim dhe lirim të shtetësisë, për regjistrimin e fakteve të lindjes, lëshimi i vërtetimeve kosovare të çfarëdo lloji dhe fletudhëtimet për kthim, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, mund të bëhet pothuajse çdo kund ku Republika e Kosovës i ka përfaqësitë e saj konsullore dhe diplomatike.

Drejtori i Zyrës për Informim në Ministrinë e Jashtme, Artan Behrami, thotë për KosovaPress, se shumicën e këtyre shërbimeve i ofrojnë që nga viti 2011, por që disa prej konsullatave për shkak të stafit të vogël dhe çështjeve teknike ende nuk mund ta ofrojnë pakon e plotë të shërbimeve.

“Prej vitit 2011 dhe deri në prill të vitit 2015, përfaqësitë tona konsullore dhe diplomatike jashtë vendit iu kanë shërbyer qindra e mijëra shtetasve të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, kemi lëshuar 103,594 dokumente të identifikimit të Kosovës, pasaporta dhe letërnjoftime, për shtetasit e Kosovës nga misionet tona”, thotë Behrami.

Ndryshe, në vitin 2011, 29 misione konsullore dhe diplomatike të Kosovës kanë lëshuar gjithsej 5,538 pasaporta dhe 4,922 letërnjoftime për shtetasit e Kosovës që jetojnë në shtete të ndryshme të botës.

Në vitin 2012, kanë lëshuar 18,663 pasaporta dhe 1,244 letërnjoftime, kurse në vitin 2014, 19,540 pasaporta dhe 8,539 letërnjoftime.

Ndërkaq, gjatë katërmujorit të parë të këtij viti, misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës, kanë lëshuar 6,341 pasaporta dhe 3,099 letërnjoftime për shtetasit e Kosovës në shtete të ndryshme të botës, aty ku ata jetojnë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/leshohen-nga-jashte-mbi-100-mije-dokumente-per-kosovaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala