LDK-PDK dhe AAK afër arritjes së marrëveshjes?

Autori:Avdyl Pajaziti

Në tri kampet politike, kanë konfirmuar se tashmë marrëveshja për zhbllokimin e situatës politike–po shihet në horizont. Në mes të tjerash, parashihen edhe shkarkime.

Situata politike është afër zhbllokimit, pasi që PDK, LDK dhe AAK kanë bërë hapa përafrues më njëra-tjetrën në pikën që partia opozitare kishte më së shumti vërejtje – çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, thonë burime të Express-it.

Një burim  tha se partitë janë pajtuar që kjo çështje të rrëzohet në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që procesi të nis nga e fillimi.

“Demarkacioni i kufirit është dashur të shkojë në Kuvend për ratifikim. Aty planifikohet të rrëzohet, dhe kështu gjithçka nis nga e para”, ka thënë burimi.

Të njëjta burime thonë se ujdia parasheh edhe shkarkimin e Murat Mehës, kreut të procesit për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Mësohet se tashmë janë realizuar bisedat e para telefonike mes palëve. Ekziston edhe opsioni i një takimi mes Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt.

Ndryshe, AAK është në një koalicion politik opozitar me Vetëvendosjen dhe NISMËN. Gazeta Express nuk ka arritur të kuptojë nëse pjesë e kësaj marrëveshje do të jenë edhe dy partitë tjera opozitare.

“Kjo çështje mbetet të shihet”, tha burimi.

“E sigurt është se pjesë e kësaj marrëveshje nuk do të jetë edhe çështja e Asociacionit – çështje kjo që tashmë po trajtohet në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë burimi.

Njëherësh, marrëveshja nuk implikon çështjen e veprave penale të kryera nga deputetët, për çka po ndiqen nga organet ligj-zbatuese.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ldk-pdk-dhe-aak-afer-arritjes-se-marreveshjes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala