LDK: “Me dorëheqjen e dy drejtorëve, Shpendi shënon dështimin e madh”

Autori:Avdyl Pajaziti

Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se dorëheqja e dy drejtorëve komunalë, e atij të Drejtorisë për Financa dhe Pronë, Visar Berisha, si dhe të Shërbimeve Publike, Ardian Gashi, shënon një akt moral dhe përgjegjësie ndaj zhvillimeve qeverisëse në Komunën e Prishtinës, ndaj dështimeve të administratës dhe politikave përjashtuese të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Grupi i LDK-së konsideron po ashtu se, nëse kërkesa për lirim nga detyra e dy drejtorëve të Komunës së Prishtinës është e prillit 2015, përgjegjësinë për moslirimin e tyre e mban kryetari i Komunës, i cili nuk ka vepruar sipas kërkesës. Kjo mbajtje për 5 muaj në pozitat e drejtorëve të paambicie më për të punuar për Komunën dhe qytetarët e saj, sipas drejtorive përkatëse, shënon paaftësinë për menaxhimin, shënon dështimin në realizimin e projekteve sipas drejtorive, shënon ndërhyrjen e mundshme me sjellje politike sipas konditave partiake të zyrave të VV.

Sipas komunikatës, është e ditur se Komuna e Prishtinës po udhëhiqet nga një kryetar, i cili ai vetë po udhëhiqet nga një dhe më shumë komesarë politikë të VV, të instaluar në Komunë si “këshilltarë” për çështje të caktuara. Prandaj, udhëheqja e komunës, me këta komesarë të deleguar drejtpërdrejt nga zyrat politike të VV, e shtyrë të plasojë sjellje dhe politika dështuese dhe përjashtuese ndaj qytetarëve dhe grupeve politike të caktuara, ditë për ditë po bëhet pre e dështimeve, nga të cilat po distancohen dhe do të tërhiqen edhe drejtorët e vet, sipas drejtorive përkatëse.

Grupi i LDK-së konsideron se tërheqja nga pozitat e tyre menaxheriale qeverisëse, të gjashtë drejtorëve, 4 më herët dhe tani 2, për 20 muaj të mandatit të kryetarit Shpend Ahmeti, shënon dështimin më të madh qeverisës në Komunën e Prishtinës, deri më tani.

E ftojmë kryetarin e kryeqytetit që sa më parë të ndërmarrë masat e duhura për stabilizimin e qeverisjes në Prishtinë. Le të bëhet kjo përpjekje për qytetarët e kryeqytetit, thuhet në fund të komunikatës. /Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ldk-me-doreheqjen-e-dy-drejtoreve-shpendi-shenon-deshtimin-e-madh/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala