LDK jep dritën e gjelbër për shkarkimin e rektorit të UP?

Nga burime të informuara mirë portali ORAInfo mëson se Lidhja Demokratike e Kosovës tanimë ka dhënë dritën e gjelbër për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu. Ky plan do të realizohet përmes dy anëtarëve të Këshillit Drejtues që vijnë nga radhët e LDK-së, Fevzi Berisha dhe Alberta Troni.
Fevzi Berisha, profesor i matematikës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës u zgjodh anëtar i Këshilli të Përgjithshëm në LDK në Kuvendin e Partisë që u mbajt më 1 qershor të këtij viti, ku arriti t’i kalojë filtrat partiakë që nuk arritën t’i kalojnë as emra të njohur në LDK-së, si Vjosa Osmani dhe Arben Gashi.
Ndërkaq, një muaj më vonë u zgjodh edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit. Fevzi Berisha ka qenë zëvendësministër i arsimit në periudhën 2004-2007 kur ministër i arsimit ka qenë Agim Veliu, ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010 ka qenë kandidat për deputet në listën e LDK, por, përkundër faktit se ka fituar 6450 vota nuk ka arritur të zgjidhet, raporton ORAinfo.
Përndryshe, Fevzi Berisha është i afërt me dekanin e Fakultetit ku punon, Naser Kabashi, i cili, po ashtu, është anëtar i LDK-së dhe me herët ka qenë në listën zgjedhore të kësaj partie për deputet të Kuvendit të Kosovës. Përveç kësaj, Fevzi Berisha është anëtar i komisionit profesional që ka propozuar Naser Kabashin për avancim, përkundër faktit se Berisha është profesor i matematikës, ndërsa Kabashi inxhinier i ndërtimtarisë.
Këtë propozim e ka kontestuar Komisioni për Studime i Universitetit, duke nxjerrë përfundimin se Kabashi nuk ka numër të mjaftueshëm të publikimeve për t’u avancuar. Edhe anëtarja tjetër e Këshillit Drejtues, Alberta Troni ka qenë në listën zgjedhore të LDK në vitin 2010, por nuk ka arritur te merr vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës. Para se të bëhej anëtare e Këshillit Drejtues, Alberta Troni ka qenë prodekane e Fakultetit të Arteve.Mësohet se udhëheqja e LDK është e pakënaqur me rektorin Zejnullahu nga koha kur ka hequr nga lista e pagave në UP kryeministrin Mustafa, si dhe ministrat dhe deputetët e LDK që janë profesorë të Universitetit.
Ndërkaq, pakënaqësia ka kulmuar kur ministri nga radhët e LDK-së, Lutfi Zharku, nuk është zgjedhur profesor i Fakultetit Ekonomik, çështje e cila është diksutuar disa herë në qarqet partiake. Në një takim të organizuar të premten kryeministri i Kosovës dhe kryetari i LDK, Isa Mustafa, ka ftuar në një takim të përbashkët rektorin Zejnullahu dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit.
Nga burimet tona në Qeverinë e Kosovës mësojmë se takimi ka qenë formal, sa për të amortizuar presionin ndërkombëtar për të mos e shkarkuar rektorin, ndërkaq, në fakt, Fevzi Berisha dhe Alberta Troni ka marrë “izën” që ta mbështesin iniciativën e dekanëve për shkarkimin e rektorit për të cilën ORAinfo tanimë ka shkruar. Se takimi ka qenë formal mund të përfundohet edhe nga komunikata tejet “e thatë” e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit ku, përveç tjerash, thuhet se Qeveria mbështet angazhimin e “të gjitha organeve të Universitetit për ruajtjen e stabilitetit institucional dhe lirisë akademike, si dhe trajtimin me përgjegjësi të interesave të studentëve të Universitetit të Prishtinës”. “Ky zhvillim e bën të mundshëm skenarin për shkarkimin e rektorit” thot burimi ynë, duke u shprehur i rezervuar për rezultatin përfundimtar, pasi katër anëtarët e Këshillit Drejtues të emëruar nga ministri Arsim Bajrami ende nuk e kanë ndarë mendjen e tyre, ndërsa për shkarkimin e rektorit nevojiten gjashtë vota. (ORAinfo)