LDK i bën thirrje Shpendit të mos dalë në protestë

Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit që të mos dalë në protestën e së mërkurës.
“Kërkojmë me ngulm nga kryetari i Prishtinës që të japë shembullin e të parit të kryeqytetit dhe së pari, ai vetë të mos jetë pjesë e protestave të dhunshme dhe t’u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim që edhe ata të mos jenë pjesë e dhunës dhe anarkisë së mundshme në kryeqytet”, thuhet në një njoftim për media të këshilltarëve të LDK-së.
Ata vlerësojnë se kreu i Prishtinës po përpiqet të nxjerrë në protestat e 4 shkurtit 2015, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të kryeqytetit, dhe kjo sipas LDK-së përveçse është shkelje e rëndë e të drejtave të fëmijëve, është politizim i hapur i arsimit dhe shkëputje nga procesi mësimor-edukativ, përveçse është e palejueshme që fëmijët nën moshën 18 vjeçare t’u nënshtrohen eksponentëve politikë për pjesëmarrje në protesta, po ashtu është e palejueshme dalja e tyre edhe për shkak të sigurisë që po i kanoset kryeqytetit dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, siç ndodhi në protestën e dhunshme të 27 janarit 2015.
“Kërkojmë me ngulm nga kryetari i Prishtinës që nesër, më 4 shkurt 2015, në kohën e protestave, të jetë në kryerjen e detyrave të tij të punës e të mos bëhet pjesë e një proteste të paparalajmëruar te organet e rendit të Republikës së Kosovës, të mos jetë pjesë e një proteste me qëllime politike dhe rrënuese të shtetit. Ndryshe, do të mbajë ai vetë përgjegjësi për sjelljet e tij nxitëse të dhunës dhe anarkisë. Kryeqytetin e ka detyrë për ta ndërtuar e jo për ta rrënuar!”
Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Prishtinë kërkon nga Drejtoria e Arsimit, nga të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, këshillat e shkollave, kujdestarët e klasëve, këshillat e prindërve, këshillat e nxënësve dhe i gjithë personeli arsimor të shkollave të kryeqytetit, që të ushtrojnë autoritetin e tyre e t’i bindin nxënësit që të mos bien pre e manipulimit ekstrem politik të VV, t’i bindin për rrezikshmërinë e protestave të mundshme të eskaluara si ato të 27 janarit 2015.