Lazarati “zhvendoset” në Dukagjin, shkatërrohen parcelat e drogës

Autori:Zekirja Shabani

Të paktën 450 efektivë të RENEA-s, FNSH dhe policisë lokale të mbështetura me helikopter nga ajëri kanë nisur një aksion antikanabis në zonën e Dukagjinit. Në ditën e parë të operacionit policia asgjesoi mbi 18 mijë rrënjë kanabis, por dyshohet se sasia e tyre është shumë më e madhë. Mbetet problem terreni i thyer.

Rënia e Lazaratit duket se ka ndryshuar hartën e kultivimit të lëndëve narkotike e cila kryesisht është zhvendosur në zonën e Tepelenës dhe atë të Dukagjinit. Një vit pas aksionit të parë të policisë në këtë zonë, me qindra uniforma blu janë rikthyer sërish në Dukagjin për të zhvilluar operacionin më të madh antikanabis në këtë zonë për vitin 2015.

Të paktën 450 forca policie përfshi specialet e RENEA-s, ato të ndërhyrjes së shpejtë si dhe policinë lokale nisën dje operacionin antikanabis në terrenin e vështirë malor të kësaj zonë. Të dhënat e policisë tregojnë se përgjatë ditës së djeshme janë zbuluar 147 parcela me lëndë narkotike ku ishin mbjellë të paktën 17.890 bimë kanabis. Të gjitha bimët narkotike janë asgjesuar nga policia e cila asistohet edhe nga Oficerë të Policisë Gjyqësore që bëjnë dokumentimin e veprës penale të kultivimit të lëndëve narkotike.

Në këtë operacion janë angazhuar edhe helikopterë të ushtrisë të cilët mbështesin nga ajëri forcat e policisë që ndohen në terren. Operacioni i koduar “Brashta” është ndjekur nga afër nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe zv.Drejtori Altin Qato. Operacioni është përqëndrëruar në zonën e Shoshit, konkretisht në pyjet e fshatrave Brashtë, Ndreaj, Pylaj, Bob, Vuksanaj dhe Breg Lumi.

Në ndihmë të efektivëve të FNSH-së Shkodrës kanë shkuar edhe homologët e tyre nga Tirana, ndërsa nuk kanë hasur ne rezistencën e kultiuesve të Kanabisit. Sipas Policisë së Shtetit deri tani janë asgjesuar 147 parcela me rreth 17.890 bimë narkotike Kanabis Sativa. Parcelat variojne nga 40 bime deri ne 200 bimë, ndërsa gjatësia e tyre varion nga 60 centimetra e 240 centimetra.

Njekohësisht grupet hetimore po vijojnë punën për sekuestrimin e çdo prove materiale në parcela me qqëllim dokumentimin me prova ligjore për të bërë të mundur evidentimin dhe kapjen e autoreve. Drejtori i policisë Haki Çako ka pohuar se aksioni do të vijojë në të gjithë territorin e Dukagjinit. Rezultate e deritanishme të publikuara nga policia flasin vetëm për bimët e asgjesuara por ende nuk raportohen persona të ndaluar.

E njëjta problematikë u shfaq edhe në operacionin e vitit të shkuar ku policia mundi të arrestojë vetëm disa prej kultivuesve të kababisit, pasi pjesa më e madhe e tyre arritën ti shpëtojnë policisë. Zona e Dukagjinit sipas policisë është ndër më problematiket sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike, pasi prej kohësh forcat e policisë zbulojnë dhe asgjesojnë parcela me sasi të konsiderueshme të bimes narkotike Kanabis Sativa.

Terreni i thyer dhe malor e vështërson punën e forcave të rendit. Një vit më parë në këtë zonë një helikopter i forcave të policisë u qëllua me armë zjarri tip automatik gjatë kohës që po patrullontë në kuadër të aksioneve antikanabis. Ky është operacioni i dytë i madh kundër kultivimit të kanabisit që zhvillohet në zonën e Dukagjinit. Në operacioni që nisi në të njëjtën periudhë një vit më parë u qëllua ndaj helikopterit të ushtrisë të cilin policia e kishte marrë nën përdorim.

Mbi 100.000 rrënjë kanabis u asgjësuan vitin e kaluar gjatë operacionit që zgjati për disa ditë në zonën veriore të Shqipërisë, e cila është konsideruar në 2014-ën si zona e dytë pas Lazaratit për kultivimin e kanabisit. Në operacionin e dytë antikanabis që priet të vazhdojë për disa ditë me radhë një ndihmë të rëndësishme kanë dhënë edhe autoritetet italiane të cilat nëpërmjet misionit të tyre në Shqipëri kanë mundur të fotografojnë nga ajëri një pjesë të mirë të parcelave me kanabis./Mapo/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/lazarati-zhvendoset-ne-dukagjin-shkaterrohen-parcelat-e-droges/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala