Lazarati s’është më tokë e premtuar, banorët pretendojnë emigrimin në Amerikë

Autori:Avdyl Pajaziti

“Toka e premtuar”, për lazaratasit nuk është më fshati i tyre, por Amerika. Rreth 15 për qind e banorëve kanë plotësuar lotarinë amerikane këtë vit, me shpresën se fati do t’i përzgjedhë e ata të largohen njëherë e mirë nga vendi. Fshati famëkeq, tashmë nuk prodhon asgjë për ta, veç skamjes dhe dita-ditës po zvogëlohet për shkak të migrimit drejt zonave urbane.

Mjaft prej banorëve nuk kanë para as të blejnë ushqimet e shportës. Borxhet e shënuara në bllokun e një shitëseje arrijnë në miliona. Shumë të tjerë i janë kthyer epokës së bukës së misrit, shkruan gazeta “Panorama”.

Shpresa në Amerikë

Shpresa për një jetë më të mirë ka humbur fare dhe e ardhmja duket e zymtë në Lazarat. Askush nuk guxon më të mbjellë bimën e ndaluar, e cila u sillte të ardhura deri në luks.

Të vetmit banorë, që i kanë varur shpresat tek ardhmja në këtë fshat, kanë përveshur mëngët duke zënë zonat malore, kryesisht në malin Sopot mbi Lazarat, për të korrur bimë medicinale e më pas ta shesin në tregun vendës sipas çmimeve të vendosura.

Edhe vilat luksoze janë braktisur. Të zotët e tyre i janë drejtuar Tiranës apo qendrave të tjera urbane. Të tjerë presin me shpresën se fati do të jetë me ta e do t’u bjerë Lotaria Amerikane.

Nga të dhënat e fundit, nga Lazarati këtë vit kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane qindra persona. Shifrat janë katastrofike në raport me popullsinë e fshatit, duke përbërë gati 15 për qind të popullsisë zyrtare, të cilët kërkojnë të largohen njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria. “Një dëshirë e tillë për emigrim në këto përmasa, nuk është parë ndonjëherë”, shprehen banorët.

Fshati në varfëri

Bejdo Shkurti, pensionist lazaratas, shprehet se fshati i tij po përjeton periudhën më të vështirë ekonomike e sociale.

“Fëmijët tanë na braktisën këtu dhe nuk i kemi më krahë të na bëjnë hyzmet. Krahas kësaj, nuk jetojmë dot normalisht, sepse herë me drita e herë pa drita, herë me ujë e herë pa ujë, herë me bukë e herë pa bukë. Kështu është situata në këtë fshat”, shprehet pensionisti lazaratas.

Ndërkaq, në dyqanet ushqimore listat e borxheve për ushqimet e papaguara kanë tejkaluar parashikimet. Tana Basha shprehet se borxhet e klientëve të saj për ushqimet e blera në dyqan i kalojnë 8 milionë lekëve të vjetër.
“Varfëria e madhe në fshat na detyron që diku të falim dhe të ‘harrojmë’ sepse jemi tanët dhe ua dimë hallet njerëzve”, shprehet Tana.

Çmimi i lirë i miellit të misrit ka gjetur vend në tryezat e lazaratasve. Ata po i rikthehen edhe shëllirës, ushqim ky që gjerësisht përdorej nga ta në kohën e diktaturës, si një fshat i goditur asokohe nga sistemi. Nëse deri dje hallet e tyre qaheshin te kryetari i komunës, sot nuk kanë se ku të diskutojnë apo të zgjidhin një problem, qoftë edhe të zakonshëm.

Banorët thonë se kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, nuk u ka shkuar për vizitë as për të parë nga afër hallet e tyre, pasi ata nuk ia dhanë votën asaj 21 qershorin e kaluar në zgjedhjet vendore, duke i dhënë vetëm 50 vota nga 2100 votues.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/lazarati-seshte-me-toke-e-premtuar-banoret-pretendojne-emigrimin-ne-amerike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala