Largohet nga puna profesori që ngacmoi seksualisht nxënësen

Profesori i Edukatës Fizike i arrestuar për sulm seksual ndaj një nxënëse në Gjimnazin ‘Frank Bardhi’ në Mitrovicë, është larguar nga puna.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se raste të tilla nuk do të tolerohen.
“Kam marrë vendim që profesorin e arrestuar nga policia për sulm seksual ndaj një nxënëseje të largohet nga puna, pasi që ai nuk është i denjë për t’i edukuar fëmijët. Ne do të punojnë që shkollat e Mitrovicës të jenë shembull për gjithë Kosovën”, ka thënë Bahtiri.
Mësohet se bëhet fjalë për për profesorin Haki Nimani, ndaj të cilit në vitin 2002 është paraqitur kallëzim penal për një vepër të natyrës së njëjtë që pretendohej se ka kryer ndaj një nxënëse të po këtij gjimnazi.
Ndryshe, më datë 25 mars 2015 rreth orës 11;00 në polici është paraqit një ankuese (nxënëse) e mitur, e cila në prani të mbrojtësit ligjor të viktimave ka deklaruar se është sulmuar seksualisht nga një mësimdhënës i saj. Ngjarja raportohet te ketë ndodhur me datën 23 mars 2015 në gjimnazin ‘Frank Bardhi’ në Mitrovicë.