Largimi i kosovarëve shqetëson BE-në

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime përballë eksodit të shqiptarëve të Kosovës drejt vendeve të unionit.
Në një intervistë për emisionin “Ballkan Magazine” në “Ora News”, Maja Kocijancic, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se BE-ja po e monitoron seriozisht këtë çështje, ndërsa ka kërkuar nga qeveria e Kosovës të forcojë kontrollin e kufirit. “Është e vërtetë se në muajt e fundit ka pasur një rritje të konsiderueshme në detektimin e kalimeve të parregullta në pikat kufitare të qytetarëve të Kosovës, si për shembull në kufirin serbo-hungarez dhe ka pasur gjithashtu rritje te konsiderueshme të kërkesave për azil nga Kosova në vende si Hungaria dhe Gjermania. Ne e kemi vënë re këtë sigurisht, po e monitorojmë dhe kemi qenë në kontakt me Qeverinë e Kosovës për këtë. Ne besojmë se qeveria e Kosovës duhet të përforcojë fushatat informuese për udhëtarët, duhet të forcojë kontrollin e kufirit në përputhje me të drejtat bazë, të hetojë për shembull kompanitë e autobusëve që po e lehtësojnë udhëtimin nga Kosova dhe nga Beogradi drejt kufirit hungarez dhe po kështu të forcojë veprimin dhe bashkëpunimin qoftë me vendet transit, qoftë me vendet e destinacionit”, ka thënë ajo.
Kocijancic ka shtuar se këto janë të gjitha çështje që janë ngritur edhe në takimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Kjo çështje u ngrit dhe të dy kryeministrat. Kryeministri Mustafa dhe kryeministri Vuçiq, ranë dakord që do të punojnë për t’i trajtuar këto sfida”, është shprehur Kocijancic.
Sipas saj, po aq e rëndësishme është dhe luftimi i grupeve kriminale që bëjnë trafikimin ilegal të njerëzve. “Duke folur në përgjithësi trajtimi i trafikimit të qenieve njerëzore është një përparësi në agjendën evropiane për migrimin që është duke u përgatitur, kështu që është ndër përparësitë kyçe për Komisionin Evropian. Për të ardhur keq, por nuk është e vetmja pjesë e botës ku ndodhin këto sfida, por është shumë e rëndësishme që ti trajtojmë ato së bashku sepse bashkëpunimi i vendeve të origjinës dhe vendeve transit është i një rëndësie kyçe nëse duam të kemi sukses”, ka thënë Maja Kocijancic.