Lajmërohet “Al Petrol”

Autori:Zekirja Shabani

Kompania e cila i ndëshkoi punëtorët në fund të vitit, duke ua ndalur pesë për qind të pagës në muajin dhjetor ka vendosur të flas për telashet që ka.

Në një deklaratë për medie, pas shkrimeve të Gazetës Fjala, zyrtarët e kësaj kompanie kanë reaguar duke shpjeguar largimin e punëtorëve por jo edhe arsyen e ndëshkimit të tyre.

Gazeta Fjala raportoi për këtë rast të premten dhe ka pritur për më shumë se një javë zyrtarët e kompanisë për të marr përgjigje.  Shkrimi i botuar, është bazuar në argumente të cilat nuk i hedhë poshtë as Al Petrol në deklaratën e së martës.

Lexo shkrimin e plotë këtu:

Redaksia e Gazetës Fjala, në këtë raportim ka pasë për bazë deklaratat e punëtorëve, konfirmimin nga inspektorati i punës dhe sindikata e sektorit privat.

Gjithashtu pas publikimit të shkrimit, në redaksinë e gazetës janë lajmëruar edhe raste të tjera të shkeljes së të drejtave të punëtorëve nga kjo kompani, të cilat do ti bëjmë publike në ditët në vazhdim. Gazeta Fjala, sikur në të gjitha rastet edhe në raportimet e radhës do të kërkoj sqarime nga të gjitha palët e përfshira.

Për hirë të korrektësisë u sjellim të plotë deklaratën e kompanisë Al-Petrol:

Kompania e derivateve të naftës Al Petrol, ka vendosur të reagojë ndaj disa akuzave të pavërteta që janë publikuar së fundmi në portalin Gazeta Fjala dhe në disa portale tjera. Më konkretisht, ky medium ka publikuar një artikull më datë 14 Janar, duke paraqitur të dhëna të pa verifikuara në lidhje me veprimtarinë e kompanisë dhe mënyrën e sjelljes me punëtorët e vet.  Aty është shkruar se kinse, 1000 punëtorëve të kompanisë u janë hequr 5% e pagës së tyre mujore në muajin Dhjetor, si dhe janë suspenduar disa prej tyre.

Konsumatorë të nderuar, sot Al Petrol është kompani e njohur në Europë si kompani me cilësi dhe korrektësi të jashtëzakonshme. Për të shtuar se është njëra nga kompanitë më të përgjegjshme në vend, e cila respekton punëtorët e vet. Prandaj, punëtorët e vërtetë asnjëherë nuk janë keqpërdorur përkundrazi, ata motivohen që të vazhdojnë me punën e mirë. Kurse, punëtorët keqpërdorues dhe jo të përgjegjshëm nuk kanë vend në Al Petrol sepse kjo kompani për klientët e vet ofron vetëm shërbime dhe produkte me cilësinë më të lartë në vend. Kompania ka shkëputur kontratën me disa punëtorë të tillë, më saktë 20 punëtorëve që kanë cënuar cilësinë e shërbimeve të kompanisë. Atyre i’u është ndërprerë kontrata e punës për shkak të keqpërdorimit  të detyrës së tyre.

Ne i dënojmë ashpër shërbimet e dobta apo sjelljet jo adekuate ndaj klientëve tanë, prandaj nuk lejojmë që punëtorë të tillë të shërbejnë në uniformë të Al Petrol. Kështu që, një akt i tillë është ndërmarrë për të mbrojtur imazhin e kompanisë dhe konsumatorët, pasi që nuk pranojmë që Al Petrol të ulë nivelin e shërbimeve.

E gjithë kjo para publikut dhe klientëve tanë është servuar gabimisht  përmes portaleve në fjalë. Për këtë arsye, kompania AL Petrol ka inicuar proces gjyqësor ndaj tyre. Jemi të bindur në trajtimin e drejtë të punëtorëve dhe respektimin maksimal të të drejtave të tyre. Për më tepër, sa i përket sjelljes tonë me punëtorët, nei inkurajojmë të gjithë ata të cilët kanë ankesa për cfarëdo shkelje të të drejtave të ankohen në organet relevante. Në këtë mënyrë, ne mund të vazhdojmë të ruajmë karakteristikat mbi të cilat është ndërtuar puna dhe përkushtimi i kompanisë ndaj qytetarëve të Kosovës.

Al Petrol çdo vit punëson mbi 200 punëtorë të ri dhe është një ndër tatimpaguesit më të mëdhenj dhe më të përgjegjshëm në vend. Jemi kompani me standardet më të larta të Përgjegjësisë Shoqërore, të çertifikuar me ISO Standarde dhe pjesë e familjes – Superbrands.

Si përfundim, ne do të vazhdojmë të shërbejmë konsumatorët tanë të shumtë dhe të ju sigurojmë korrektësi dhe produkte cilësore edhe për shumë vite në vazhdim, ashtu siç kemi vepruar për 26 vjet të veprimtarisë sonë. Al Petrol mban përgjegjësi të plotë për të gjitha veprimet e saj duke siguruar të gjithë se gjithmonë është në mbrojtje të cilësisë dhe të korrektësisë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/lajmerohet-al-petrol/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala