Lajçi: Mali i Zi hyri 8 km brenda Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Ali Lajçi, anëtar i komisionit shtetëror për demarkacion, në diskutimin rreth vendimit të qeverisë për ta miratuar demarkacionin Kosovë – Mali i Zi, ka thënë se institucionet kosovare nuk kanë qenë serioze në këtë çështje.

“Vija e propozuar e komisionit nga Mali i Zi është në interesa të atij vendi. Kryeministri dhe zëvendëskryeministri kanë deklaruar se nuk humb asnjë pëllëmbë e territorit të Kosovës me këtë marrëveshje por kjo është papërgjegjësi”, ka thënë Lajçi në Info Magazine të Klan Kosovës.

Sipas llogaritjeve të tij, Lajçi ka treguar se sa humb nga territori i saj Kosova, me marrëveshjen e re me Malin e Zi.

“Kosova humb 12,000 hektarë nga territori i saj me demarkacionin e ri. Meha dhe Mustafa e Thaçi nuk ishin në terren që t’i shohin pikat e kufirit. Prona e Kosovës rrudhet deri në 8 km brendësi, ku parashihet të shtrihet kufiri i Malit të Zi”.

“Këto janë gjëra të rëndësishme me peshë të madhe dhe janë trajtuar me papërgjegjësi. Krerët e shtetit duhet të dalin në terren e ta shohin vetë sa humb Kosova me këtë marrëveshje”, ka deklaruar Lajçi.

Anëtari i komisionit shtetëror për demarkacion, përveç se të papërgjegjshme, marrëveshjen me Malin e zi dhe vendimin e qeverisë për ta miratuar demarkacionin, e ka quajtur edhe të rrezikshme, madje ka hedhur edhe akuza mbi kryeministrin Isa Mustafa.

“Një kryeministër si Mustafa që i ka shkaktuar dëm vendit me bllokadë 6 muajshe, e udhëheq një çështje si demarkacioni me Malin e Zi. Ata kanë aprovuar një raport shumë të rrezikshëm për Kosovën”.

Ai i ka bërë thirrje institucionit ligjvënës, Parlamentit të Kosovës që të mos e njohë këtë marrëveshje.

“Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën. Nuk po flasim për kufij komunalë, por shtetërorë. Kuvendi nuk duhet ta ratifikojë këtë marrëveshje.”

Gjatë intervistës Lajçi, i ka ftuar krerët e institucioneve që të dalin në terren dhe ta shohin saktë se ku vendosen pikat kufitare, sepse sipas tij ata nuk e dinë, dhe pastaj të marrin vendime.

Lajçi gjithashtu, ka shtuar se dyshon që zyrtarët e komisionit, po kryejnë veprime të jashtëligjshme në këmbim të shpërblimeve.

“Një logjikë kaq e shtrembëruar që e dëmton kaq shumë vendin, më bën të mendoj gjithçka, madje edhe se zyrtarët janë të korruptuar”, ka përfunduar Lajçi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/lajci-mali-i-zi-hyri-8-km-brenda-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala