Labinot Tahiri “zëvendëson” Blerim Shalën në AAK?

Këngëtari Labinot Tahiri – Labi, është duke i dhënë shumë zor promovimit të tij si politikan që disa muaj. Labi në një moshë të shtyrë, kishte filluar studimet dhe regjistruar shkencat politike, duke aspiruar që në të ardhmen të bëhet politikan.
Kolegë të tij të “orëve të ligjëratave”, tregojnë se Labi shpeshherë edhe entuziazmohej dhe shkruante statuse në rrjete sociale, nga ato që i dëgjonte nga ligjëruesit. Por, duke iu përkushtuar edhe politikës, ashtu sikur i përkushtohej muzikës tallava, Labi kishte shfrytëzuar disa raste për t’u fotografuar edhe me ish-Sekretaren e Shtetit Madeleine Albright gjatë një vizite studimore në SHBA, me Bekim Jasharin, djalin e heroit Hamzë Jashari në aeroport, si dhe me disa figura të tjera, që i postonte me shumë zell në rrjetin e tij. E, duke mos u mjaftuar me kaq, para se ta zyrtarizoj aderimin e tij në AAK, ai tani ka filluar të merret edhe me “filantropi”, duke paguar edhe për mediatizimin e aktiviteteve të tij filantropike e politike.
Burime të Indeksonline të afërta me këngëtarin Labinot Tahiri – Labi, konfirmojnë se Labi së shpejti do të aderojë në AAK, në partinë e Ramush Haradinajt, por që kjo do të bëhet e ditur në momentin e duhur, pasi që Labi të bëjë aderimin e tij sa më glamuroz dhe të krijojë imazhin e një politikani të devotshëm.
Si briliant që është, Labi kohëve të fundit ka filluar të japë opinione edhe për dukuri të ndryshme dhe të flas për politikën nëpër dasma, derisa në AAK potenciali i tij po shihet si plotësim i boshllëkut që ka krijuar dalja e intelektualit Blerim Shala nga AAK-ja. /Indeksonline