Ky është vendimi i ministrit Bajrami që shfuqizon shkarkimin rektorit

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami përmes një vendimi shfuqizon vendimin e djeshëm të Këshillit Drejtues për të shkarkuar rektorin Ramadan Zejnullahu.

Ky eshte vendimi i plote i MASHT-it
Ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në mbështetje të dispozitave të neneve 4, 21, 22 të Ligjit Nr. 03/L-189 për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës (Gazeta Zyrtare, Nr. 82, 21 tetor 2010), dispozitave të nenit 8 dhe shtojcën 6 të Rregullores nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive (Gazeta Zyrtare, Nr. 1, 18 prill 2011), dispozitave të nenit 6, paragrafi 1.13 të Ligjit Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës (Gazeta Zyrtare nr. 14, 9 shtator 2011), si dhe dispozitave të nenit 93, pika 93.4 dhe nenit 101, pika 101.1 të Ligjit Nr. 02/L-28 për Procedurën Administrative (Gazeta zyrtare nr. 8, 1 janar 2007), merr këtë:

V E N D I M

I. SHFUQIZOHET Vendimi Nr. Prot: 2/378 , i datës 21.10.2015, i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

II. Pavlefshmëria absolute e Vendimit Nr. Prot: 2/378, i datës 21.10.2015, e shpallur përmes këtij vendimi, ka efekt juridik në kuptim të Ligjit nr. 02/L-28 për Procedurën Administrative.

III. OBLIGOHEN organet e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për zbatimin e këtij vendimi.

IV. OBLIGOHET Departamenti i Inspeksionit të Arsimit, që në pajtim me Ligjin Nr. 2004/37 për Inspeksionin e Arsimit në Kosovë të inspektoj zbatimin e këtij vendimi dhe kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion.

V. Vendimi hyn në fuqi nga dita e nënshkrimit.
A r s y e t i m

Duke u mbështetur në dispozitat e lartshënuara dhe duke marr parasysh se procedura për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është iniciuar në kundërshtim me paragrafin 2, pika 2.2 të nenit 31 të Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përbën rast për pavlefshmëri absolute të Vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sipas pikës d) të nenit 92 të Ligjit Nr. 02/L-28 për Procedurën Administrative. Sa më sipër, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.

Këshillë juridike: Kundër këtij vendimi të Ministrit, pala e pakënaqur mund të inicioj konflikt administrativ në gjykatën kompetente, brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh, nga dita në të cilën i është dorëzuar vendimi.
Prof. Dr. Arsim BAJRAMI, Ministër

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ky-eshte-vendimi-i-ministrit-bajrami-qe-shfuqizon-shkarkimin-rektorit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala