Ky është kushti i VV-së për debat me pozitën

Shefi i grupit parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje!, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk do të ulen për të diskutuar me pozitën në rast se vazhdon të këmbëngulë se nuk do të ndryshohet asnjë prejse në marrëveshjen e 25 gushtit.
Konjufca, në një konferencë për medie, ka thënë se opozita do të diskutojë me pozitën vetëm në rast se bëhet i mundshëm rishqyrtimi i marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Më tutje, Konjufca ka thënë se Beogradi nga paslufta i ka duart e lira për të ndërtuar lagje të reja në veriun e Mitrovicës. Tani, sipas tij, Beogradi është duke kërkuar që ato pjesë t’i ketë nën administrim të komunës së veriut. “Beogradi i ka pasur duart e lira të ndërtojë lagje të reja në veriun e Mitrovicës, ndërsa shqiptarët janë dëbuar nga ajo pjesë”, ka thënë Konjufca. Ai e ka fajësuar Qeverinë e Kosovës se në dialogun në Bruksel është nënshtruar nga presioni që ka ardhur si rezultat i këmbëngulësisë së palës serbe. “Komuna e veriut të Mitrovicës, me marrëveshje të fundit, ka kërkuar zgjerimin e saj në lagjen e Suhodollit. Kjo marrëveshje është arritur në Bruksel. Pra, më 25 gusht, Suhodolli i është shitur ‘Zajednicës’”, ka thënë Konjufca.