Ky është borxhi që do ta falë qeveria

Autori:Zekirja Shabani

Pjesa më e madhe e borxheve që do ti falë Qeveria e Kosovës është borxh i humbur tashmë. Në analizën “Kush do të përfitojë nga falja e borxheve?”, të prezantuara nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, të mërkurën thuhet se nga 670 milionë euro sa është shuma e borxheve që parasheh ti falë Qeveria e Kosovës 465 milionë euro janë borxhe ndaj ndërmarrjeve publike, 148 milionë euro janë borxhe të bizneseve aktive ndaj ATK-së, dhe 57 milion euro janë borxhe ndaj Doganës së Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i GAP-it, Agron Demi ka bërë të ditur se institucionet publike nuk kanë qenë të kujdesshme që të mbajnë një regjistër të saktë të borxhlinjve si dhe institucionet nuk kanë ndjekur me rregull procedurat ligjore për të paditur qytetarët dhe bizneset borxhlinj.

“Falja e borxheve është më shumë një lehtësim administrativ dhe evidentim i borxheve të këqija, se sa një falje reale për qytetarët dhe bizneset. Kjo ngase shumica e institucioneve apo NP-ve nuk kanë paditur klientët e tyre për borxhet brenda afateve të kërkuara ligjore”, ka thënë Demi.

Sipas kësaj analize prej ndërmarrjeve publike me vlerën më të madhe të borxhit është KEK-u, me vlerë 346.3 milion euro. Ndërkaq, borxhlinjtë më të mëdhenj ndaj KEK-ut janë amvisëritë me afër 84 për qind të totalit të borxhit, të cilët do të jenë përfituesit më të mëdhenj të faljes së borxheve. Pas kësaj vijnë bizneset dhe institucionet me 12 për qind,  konsumatorët e mëdhenj industrial me 3 për qind, konsumatorët e tjerë 1 për qind, dhe ndriçimi publik 0.08 për qind.

Të dhanët e GAP tregojnë se borxhi ndaj kompanive rajonale të ujësjellësit (KRU) është rreth 48 milion euro, ndërsa borxhi ndaj kompanive rajonale të mbeturinave (KRM) është rreth 23.4 milion euro.

Kompania me nivelin më të lartë të borxhit është KRM “Prishtina”, kjo për shkak të numrit të konsumatorëve. Kurse borxhi total ndaj ATK-së deri në fund të vitit 2008 është 168.6 milion euro. Pjesën më të madhe të këtyre borxheve e zënë bizneset aktive.

Falja e borxheve është iniciativë e  Qeverisë së Kosovës, por që nga fillimi i këtij procesi në fillim të muajit shkurt 2015, kanë kaluar gjashtë muaj dhe ende Qeveria nuk ka dalur të jap një  shumë reale të borxhit. Instituti GAP vlerëson se një gjë e tillë do të duhej të ishte në dispozicion të publikut dhe deputetëve të Kuvendit, që në kohën kur është diskutuar për projektligji./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ky-eshte-borxhi-qe-do-ta-fale-qeveria/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala