Ky është bilanci zyrtar i protestës së sotme

Autori:Avdyl Pajaziti

Policia e Kosovës pas përfundimit të protestës ka dalë me një bilanc të ngjarjeve të sotshme lidhur me të lënduarit dhe dëmet që janë shkaktuar nga dhuna e protestuesve.

Më poshtë gjeni komunikatën e detajuar nga Policia:

Pas shpërndarjes së mëhershme të protestuesve, serish në orët e mbrëmjes një numër i protestuesve të shoqëruar nga disa deputet, janë kthyer dhe kanë vazhduar të qëndrojnë të qetë para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Mirëpo më vonë, protestuesit pas pranimit të informacionit për masën e caktuar nga Gjykata kompetente ndaj deputetes znj.Kadaj-Bujupi, përsëri kanë shfaqur dhunë ndaj policisë dhe objekteve zyrtare dhe Policia e Kosovës është detyruar të intervenojë, për ta vënë situatën nën kontrollë.

Si pasojë e dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, deri në ora (19:30) numri i zyrtarëve policor të lënduar të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka arritur në shtatë (7), mirëpo ka edhe zyrtarë të tjerë të cilët kanë pësuar lëndime sipërfaqësore por që nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ndërsa në bazë të informacioneve të mëhershme lëndime kanë pësuar dy (2) qytetar të cilëve po ashtu iu është dhënë ndihma mjekësore.

Policia e Kosovës përmes njësiteve të saja relevante deri tani (19:30) kanë shoqëruar në stacione policore njëzet e dy (22) protestues të dhunshëm, si dhe më parë kanë konfiskuar në vendngjarje një (1) çantë të dyshuar të mbushur me mjete të dyshuara si koktej molotovi.

Po ashtu në bazë të informacioneve të deritanishme janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në objekte publike,duke përfshire edhe dhjetëra vetura të dëmtuara si;

Një (1) veturë kombi me targa 3Z është djegur,
Katër (4) vetura të Policisë të dëmtuara,
Dëme në disa vetura zyrtare të institucioneve të ndryshme, duke përfshirë një e cila ka qenë në lëvizje, por që pritet të verifikohen dhe të saktësohet numri i tyre,
Dëme të shkaktuara të objektit të Qeverisë dhe objekteve tjera shtetërore,
Dëme të shkaktuara edhe te shtatorja e ish-presidentit Rugova, dyshohet për dëmtim të shkronjave të shtatores si dhe
Dëme të shkaktuara në pajisjet dhe uniformat policore.

Policia e Kosovës bazuar në planifikimet operacionale ka vazhduar me monitorimin e situatës së krijuar nga protesta e dhunshme dhe me veprimet e saja ligjore ka arritur të menaxhoj dhe ta vejë situatën nën kontroll, e cila tani vlerësohet të jetë e qetë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ky-eshte-bilanci-zyrtar-i-protestes-se-sotme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala