Kuvendi shkeli rregulloren kur transmetoi dy seanca plenare në RTK

Autori:Avdyl Pajaziti

Kuvendi i Kosovës, transmetoi dy seancat plenare në RTK, atë në sallën kryesore dhe tjetrën që u mbajt në katin e pestë të objektit ku koalicioni qeveritar miratoi disa ligje.

Mirëpo transmetimi i dy seancave plenare në të njëjtën kohë është shkelje e rregullores së punës së Kuvendit, për shkak se gjatë mbledhjes së Kryesisë vendoset edhe për transmetimin e seancës në televizionin Publik.

Në rregulloren e punës së Kuvendit, në nenin 43 thuhet se Kryesia e Kuvendit vendos për transmetimin e seancës, duke specifikuar “përpos kur Kuvendi vendos ndryshe”.

“1. Mbledhjet e Kuvendit janë publike, përpos kur Kuvendi vendos ndryshe. Mbledhjet transmetohen në përputhje me vendimin e Kryesisë së Kuvendit. Mbledhjet plenare regjistrohen në formë elektronike. Çdo diskutim regjistrohet në gjuhën, në të cilën është bërë. Në procesverbal evidencohen pikat e rendit të ditës, diskutimet e përmbledhura dhe vendimet që i merr Kuvendi”, thuhet në nenit 43 të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, raporton Indeksonline.

Mirëpo më 23 tetor, kur seanca vazhdoi deri në ora 3 të mëngjesit, RTK shfaqi dy seancat njëkohësisht edhe aty ku qëndronte opozita, që bllokoi punën, por edhe në katin e pestë të Kuvendit, ku miratoi ligje pozita.

Rrjedhimisht i bie se Kuvendi “keqpërdori” RTK-në, me transmetimin e dy seancave njëkohësisht duke shkelur kështu rregulloren e punës.

Kur mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit, vendoset edhe për transmetimin e seancave në televizionin publik. Në rastin e shfaqjes së dy seancave plenare, Kryesia e Kuvendit nuk ka marr asnjë vendim që bazohet në rregulloren e punës.

Indeksonline i ka dërguar pyetje përmes postës elektronike sekretarit të Kuvendit, Ismet Krasniqi, mirëpo ai është përgjigjur shkurt duke mos e sqaruar transmetimin që ka ndodhur në kundërshtim me rregulloren e punës së Kuvendit.

Ai ka thënë shkurt se ka pasur një mbledhje plenare dhe ajo është transmetuar.

“Në ditën e përmendur ka pasur një mbledhje plenare, e cila edhe është ndjekur me transmetim”, ka thënë Krasniqi për Indeksonline.

Ndryshe RTK është vetëm transmetues i sinjalit, që me vendim të Kryesisë së Kuvendit, shfaqet edhe seanca plenare e Kuvendit./Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kuvendi-shkeli-rregulloren-kur-transmetoi-dy-seanca-plenare-ne-rtk/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala