Kuvendi nis sezonin vjeshtor me 17 shtator

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryesia e Kuvendit e ka caktuar 17 shtatorin si datë për nisjen e sezonit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme ku u caktua kjo datë, u fol për kërkesën e kryeministrit për informim të legjislativit për marrëveshjet e arritura me Serbinë, për çka opozita lëshoi mbledhjen duke e vlerësuar si një tallje të Kuvendit me këtë kërkesë.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, duke e quajtur kërkesën një hajgare të kryeministrit tha se Kuvendi nuk duhet të jetë vetëm si lexues i marrëveshjeve por vendimmarrës.

Ndërsa shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, tha se me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel është krijuar një bashkësi e cila ka ndikim në institucione.

Sipas saj është skandaloze çështja e pronave të Kosovës në Veri pasi Qeveria me marrëveshjen e fundit ka pranuar të jenë në pronësi të Asociacionit.

Ajo tha sipas marrëveshjeve Qeveria ia ka dhënë në pronësi Asociacionit edhe liqenin e Ujmanit edhe Trepçen.

Kadaj-Bujupi tha se marrëveshjet e fundit të nënshkruara në Bruksel dhe Asociacioni do ta kthejnë Kosovën në vitin 1974.

Edhe shefja e grupit parlamentar të Nisma për Kosovën tha se dokumenti i Qeverisë është jo serioz dhe i papranue shëm.

Ajo tha se me Asociacionin është bërë ndarja e Kosovës dhe po krijohet një mini shtet brenda shtetit.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri, theksoi se është absurde të thuhet se nuk ka çka informon kryeministri për marrëveshjet në Bruksel.

Ai tha se mbështetë futjen në rend dite kërkesën e kryeministrit për informim rreth marrëveshjeve.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kuvendi-nis-sezonin-vjeshtor-me-17-shtator/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala