Kuvendi mblidhet pa opozitën

Autori:Avdyl Pajaziti

Kuvendi i Kosovës ka caktuar për sot seancë plenare, në të cilën pritet të shqyrtohet projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian.

Kjo marrëveshje është nënshkruar javën e kaluar në Strasburg, duke shënuar edhe hapin e parë të marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.

Kryesia e Kuvendit ka marrë vendimin për seancën e sotme pa praninë e opozitës, e cila, për gati dy muaj, po bojkoton dhe pengon punën e institucionit ligjvënës.

Partitë opozitare kanë thënë se nuk do të bllokojnë procesin e votimit për ratifikimin e MSA-së, porse vetë nuk do të marrin pjesë.

Sipas tyre, Marrëveshja për Stabilizim Asociim ka shumë të meta – pos tjerash, ajo e trajton Kosovën jo si shtet, por me fusnotë dhe pa emërtimin Republikë në të, shkruan Evropa e Lirë.

Tensionet midis pushtetit dhe opozitës janë tejet të larta qysh në muajin gusht, kur udhëheqësit e qeverisë kanë nënshkruar marrëveshjen me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Sipas opozitës, marrëveshja e parë do ta “bosnjëzojë” Kosovën, ndërsa e dyta i jep një pjesë të territorit të Kosovës, pa ndonjë bazë, Mali të Zi.

Për gati dy muaj, mbledhjet e Kuvendit janë përcjellë me tensione, fyerje të ndërsjella dhe hedhje të gazit lotsjellës nga opozita, me qëllim bllokimin e punës.

Opozita kërkon nga kryeministri Isa Mustafa që të tërheqë nënshkrimet nga marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi. Të tri partitë opozitare: Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë kërkuar nga shumica parlamentare që, përveç MSA-së, të mos diskutojë tema të tjera në seancën e sotme.

“Në një situatë të tillë, përgjegjësia do të ishte e pozitës”, ka thënë përmes një deklarate të përbashkët opozita.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kuvendi-mblidhet-pa-opoziten/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala