Kuvendi mban sot mbledhjen për buxhetin, opozita kërcënon me bllokim

Autori:Avdyl Pajaziti

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka thirrur sot mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën duhet të shqyrtohet Projektligji për buxhetin e vitit 2016.

Vendimin për mbajtjen e kësaj mbledhjeje e mori dje Kryesia e Kuvendit, porse menjëherë reagoi opozita, duke porositur se nuk do të lejojë mbajtjen e saj.

Përkundër thirrjes së kryetarit të Kuvendit që edhe deputetët e opozitës të marrin pjesë në seancë, përfaqësuesit e Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën thanë se do të vazhdojnë me veprime për pengimin e funksionimit të legjislativit deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga ana e Qeverisë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Ata nuk treguan se a do të hedhin sërish gaz lotsjellës apo çfarë veprimesh do të ndërmarrin.

Kryeparlamentari Veseli tha se nëse edhe sot vazhdojnë tentimet për bllokim të Kuvendit, do të veprojë në bazë të rregullores, pa precizuar se cilat do të jenë veprimet eventuale.

Ndërkohë, 82 deputetë të mazhorancës i dorëzuan dje Kryesisë së Kuvendit një kërkesë me shkrim për të krijuar kushte më të sigurta gjatë seancave plenare.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kuvendi-mban-sot-mbledhjen-per-buxhetin-opozita-kercenon-me-bllokim/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala