Kuvendi e Qeveria në konflikt për Gjykatën Speciale

Ka prodhuar konflikt ndërmjet institucioneve qendrore një arsyetim formal për ta shtyrë seancën që kishte në agjendë votimin e amendamenteve kushtetuese për Gjykatën Speciale. Për pasojë ndodhet në ngërç procesi i vendimmarrjes.
Me propozim të subjekteve në pushtet, të premten është shtyrë seanca për amendamentet, me arsyetimin se deputetët nuk e posedonin para vetes edhe Draftligjin për Specialen. Ishte arsyetim formal, ngaqë shtyrja qe bërë në mungesë votash, shkruan sot “Koha Ditore”.
Megjithëkëtë, tani Kuvendi do që t’i qëndrojë pas arsyetimit dhe është përcaktuar që, kurdo që t’i vërë amendamentet në rend dite, ta qesë para deputetëve edhe Draftligjin, kërkesë kjo për të cilën në Qeveri kanë thënë se, për arsye procedurale, nuk mund ta përmbushin.