Albulena Haxhiu:Kuvendi dhe Komisionet parlamentare po degradohen

Autori:Gazeta Fjala

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila kryeson Komisionin parlamentar për Legjislacion, ka treguar se para miratimit të rendit të ditës të mbledhjes së sotme të këtij Komisioni, opozita kërkoi që në rend dite të futet situata aktuale politike, gjegjësisht diskutimi në lidhje me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, me theks të veçantë marrëveshja për “Zajednicën” dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi.

“Si kryetare e Komisionit për Legjislacion theksova faktin se duke i marrë parasysh kompetencat e Komisionit për Legjislacion, i njëjti nuk mund dhe nuk guxon të qëndrojë i heshtur karshi situatës aktuale politike, sepse nuk mund të kalojmë në normalitet për sa kohë Kosova po rrezikohet nga bosnjëzimi, nuk mund të qëndrojmë të heshtur karshi shkeljeve kushtetuese dhe ligjeve që janë bërë më anë të nënshkrimit të atyre marrëveshjeve dhe nuk mund të qëndrojmë të heshtur kur i janë falë mbi 8 mijë hektarë Malit të Zi”, thotë Haxhiu në reagimin e saj.

Anëtarët e Komisionit për Legjislacion nga radhët e PDK-së dhe LDK-së nuk pranuan që Komisioni të diskutojë në lidhje me këtë dhe lëshuan mbledhjen e Komisionit për Legjislacion.

“Qasja e tyre është jo serioze dhe e papërgjegjshme dhe dëshmon se këta fare nuk janë të shqetësuar për gjendjen aktuale në Kosovë dhe fare nuk janë të brengosur që me marrëveshjet e nënshkruara përveç tjerash po krijohet Republika Srpska në Republikën e Kosovës”, ka thënë Haxhiu, përcjell koha.net. “Kuvendi dhe Komisionet parlamentare po degradohen. Me marrëveshjet e nënshkruara Kuvendi po përjashtohet në tërësi, pra Kosova nga një vend demokratik po rrëshqet në një vend autokratik, ndërsa nga argatët e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit (anëtarë të Komisionit) po tentohet që të pamundësohet diskutimi edhe në Komisionet parlamentare”, ka shtuar ajo.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kuvendi-dhe-komisionet-parlamentare-po-degradohen-thote-haxhiu/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala