Kuvendarët e Prizrenit refuzojnë tenderimin e pronave komunale

Autori:Gazeta Fjala

Propozimi i Komisionit komunal për vlerësimin e ofertave, për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim, që të shqyrtohet nxjerrja e një vendimi të përgjithshëm nga Kuvendi Komunal që pronat komunale t’i nënshtrohen procedurës së tenderimit për dhënien në shfrytëzim, nuk është miratuar nga anëtarët e organit më të lartë vendimmarrës në Prizren.

Këshilltarët e KK-së, në seancën e fundit, me shumicë votash kanë refuzuar futjen e këtij propozimi në rend të ditës për shqyrtim dhe votim. Madje përfaqësuesit nga partitë opozitare kanë vlerësuar se kjo është një përpjekje joparimore që kryetari Muja mos t’i ushtrojë kompetencat që ia jep Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mybera Mustafa nga LDK-ja ka bërë të ditur se propozimin për dhënien e pronës publike të Komunës në shfrytëzim në bazë të ligjit duhet ta bëjë kryetari i Komunës. “Por duket se ai është djeg me tambël e tani po i fryn kosit. Prandaj, unë kërkoj interpretim nga zyra ligjore nëse duhet të votojmë për diçka që ligji e përshkruan si kompetencë të kryetarit të Komunës”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa Shani Berisha nga Bashkimi Demokratik ka theksuar se materiali kuvendarëve u është dhënë shumë vonë dhe nuk kanë pasur mundësi që të përgatiten mirë. Njëkohësisht ka shtuar se ligji i përshkruan detyrat që i ka kryetari në këto procedura, ndërkohë që propozimi i sjellë në KK ka tendenca të caktuara. “Qëllimet e veta prapa skenës po duan me na i pru me i votua ne në Kuvend, që në të ardhmen me pas arsyetim se KK-ja e ka votuar”, ka deklaruar Berisha duke refuzuar shqyrtimin e kësaj pike.

Ndërkaq Artan Abrashi i lëvizjes “Vetëvendosje” ka theksuar se nuk duhet të kapërcehen procedurat dhe se kjo pikë duhet të vijë në Kuvend, në mënyrë të rregullt dhe jo me përshpejtim dhe pa sqarimet e duhura.

Kryetari i Komisionit të sipërpërmendur, njëherësh drejtor i Urbanizimit, Nijazi Kryeziu, ka pohuar se anëtarët e KK-së duhet të deklarohen konform ligjit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kuvendaret-e-prizrenit-refuzojne-tenderimin-e-pronave-komunale-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala