Kushtet skandaloze nga kampet ku rrinë shqiptarët në Gjermani (Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

A1Report sjell pamje ekskluzive nga një kamp në periferi të Gjermanisë ku janë strehuar me qindra shqiptarë të cilët shpresojnë deri në marrjen e azilit ekonomik.

Premtimet për një jetë më të mirë kanë nxitur mijëra qytetarë shqiptarë nga i gjithë vendi që të marrin rrugën e largët drejt vendeve të Bashkimi Evropian, veçanërisht në Gjermani. Shumë prej azilkërkuesve tashmë të kthyer nga kampet rrëfyen se nuk gjetën asgjë të premtuar.

Më mirë se askush jetesën që bëjnë shqiptarët e larguar nga shtëpitë e tyre dhe të strehuar në kampet gjermane e rrëfejnë pamjet ekskluzive të siguruara nga A1Report. Ambientet e jashtme të kampit tregojnë se numri i të strehuarve është shumë i madh. Nga tualetet publike për të gjithë komunitetin e kampeve kanë shpërthyer ujërat e zeza.

 

Ndërsa teksa futesh brenda kampit, janë qindra qytetarë të cilët mbajnë radhë me pjata në duar për të marrë vaktin e mëngjesit. Përbërësve ushqimorë të këtij vakti i rrëfen kjo foto, ku duket feta e bukës me djathë dhe sallam.

Në një ambient qëndrojnë rreth 50 persona, fëmijë, gra dhe të moshuar.

Pavarësisht kushteve skandaloze për nevojat më elementare të jetesës për këta qytetarë, shqiptarët vijojnë të gjejnë mundësitë për të siguruar një biletë vajtje për në Gjermani.

Fluksi i eksodit javët e fundit është ulur, por ai nuk është ndaluar edhe pas deklaratave të Ambasadorit gjerman në vendin tonë Hellmut Hoffman se të gjithë azilkërkuesit ekonomik do të kthehen në vendet e origjinës.

 

“Eksodi” është kthyer edhe në objekt akuzash dhe kundërakuzash mes mazhorancës dhe opozitës. Kryeministri Edi Rama është shprehur më herët se shqiptarët e kanë keqkuptuar nevojën e Gjermanisë për 45 mijë emigrantë të cilët mund të ofrojnë kontributin e tyre në fusha specifike për të cilat ky shtet kërkon punëtorë.

Kreu i qeverisë tha se struktura kriminale kanë hyrë në veprim duke stimuluar largimin e shqiptarëve përmes mashtrimit. Ndërsa ish-kryeministri Berisha e quajti këtë situatë kapitullim të shtetit.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kushtet-skandaloze-nga-kampet-ku-rrine-shqiptaret-ne-gjermani-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala