Kush po e frenon “motorin” e BE-së?

Autori:Avdyl Pajaziti

Franca dhe Gjermania kanë nevojë që të sjellin në tryezë propozime të qëndrueshme, që nuk reflektojnë vetëm preferencat e tyre, por që janë projektuar për të pasqyruar interesin evropian

Shfaqja e Angela Merkelit dhe Fransua Hollandit para Parlamentin Evropian javën e kaluar mund të ketë çuar një mesazh të fortë përpara takimit të Këshillit Evropian.

Në njërën anë ky takim do të nxjerrë në pah grindjet mbi solidaritetin midis shteteve anëtare, në lidhje me trajtimin e fluksit të refugjatëve dhe nga ana tjetër kërkesat britanike për më pak Evropë.

Në fjalën e tyre në Parlamentin Evropian, Merkel dhe Hollande i kishin të gjitha mundësitë për të parandaluar debatet, duke përforcuar vendosmërinë e tyre për të kapërcyer dallimet në BE e për të ndërtuar një union më të ngushtë mes Francës dhe Gjermanisë, në qoftë se ata besojnë me të vërtetë se Evropa është në rrezik për t’u copëtuar.

Mjerisht, nuk u ndërmor asnjë hap i tillë për unifikimin e mëtejshëm.

Njëzetegjashtë vjet qëkur Fransua Miteran dhe Helmut Kol iu drejtuan Parlamentit Evropian në një dalje të përbashkët, kancelarja aktuale gjermane dhe presidenti aktual i Francës dëshmuan se nuk janë në gjendje të ruajnë të njëjtin nivel angazhimi dhe vendosmërie, sikurse paraardhësit e tyre.

Ishte një rast e mundësi e rrallë, por nuk u dha asnjë sinjal me ndikim. Në vend të një mesazhi të prezantuar në mënyrë konficendiale, europarlamentarët dëgjuan dy fjalime të kopjuara, që u fokusuan tek sfidat me të cilat Evropa po përballet, nga konfliktet dhe luftërat në zonat pranë kufijve të saj (Hollande) deri tek dhe emigracioni që është shkaktuar prej tyre (Merkel).

Si Hollande ashtu dhe Merkel apeluan ndaj Evropës që të reagojë dhe veprojë së bashku, por asnjëri prej tyre nuk dha ndonjë ide konkrete se çfarë nismash mund të ndërmarrin Franca dhe Gjermania, dhe se mund të veprojnë së bashku në kushtet kur partnerët evropianë kanë dëshmuar mungesë vullneti për të ecur përpara si union, shkruan Zëri.

Mesazhet e përcjella nga të dy liderët nuk kishin asgjë të re, por mënyra sesi u dhanë ato deklarata theksonin seriozitetin dhe urgjencën e situatës. Shpërndarja e një fjalimi në vend të dyve mund të ketë qenë një ide e zgjuar e këshilltarëve të tyre politikë, për të përcjellë mesazhin e unitetit dhe qëllimin e përbashkët, por kjo as që u konsiderua.

Megjithatë, pavarësisht nga toni i këtyre fjalimeve, mungonin rekomandimet për hapat specifike që duhen ndërmarrë. Në ditët e arta të marrëdhënieve franko-gjermane, një edhe një shtohej dhe bënte tre, por fjalimi i përbashkët i javës së kaluar e nënvizoi faktin se ky nuk është më rasti. Dyshja po flet, por “motori” i BE-së ka ngecur.

Si këtë muaj, 24 vjet më parë, Miterran dhe Kol dëshmuan sesi “motori” franko-gjerman mund të krijonte një moment të artë, për të ecur me vrull përpara.

Përpara samitit të Mastrihtit, të dy liderët u dërguan një letër kolegëve të tyre, duke i njoftuar se Franca dhe Gjermania do të ngrinin një njësi të përbashkët ushtarake mes tyre, dhe ftuar edhe vendet e tjera t’i bashkoheshin kësaj iniciative, dhe sugjeruar se ky vendim duhej kuptuar si hapi i parë drejt themelimit të një ushtrie evropiane.

Ata gjithashtu propozuan që BE-ja të përthithtë Bashkimin Evropian Perëndimor si një shtyllë të Sigurisë së Përbashkët dhe Politikës së Mbrojtjes.

Një pjesë e mesazhit ishte formuluar në gjuhën e traktatit, në mënyrë që të mund të futej direkt në dispozitat mbi një bashkim politik.

Në krahasim me Miteran dhe Kol, Merkel dhe Hollande nuk vepruan në të njëjtën mënyrë.

Ndërsa është e vërtetë se niveli i fragmentimit në BE është shumë më e lartë tani, sesa ishte në fillim të viteve ’90-të dhe se shtetet anëtare të BE-së nuk janë në një konferencë ndërqeveritare duke negociuar mbi reformën e traktatit siç ishin Miteran dhe Kol, është e qartë se të drejtosh BE-në kërkon më shumë sesa vetëm t’u bësh apel qeverive për t’u përballur me problemet e dukshme.

Citat: Parisi dhe Berlini kanë nevojë të ndalojnë apelet ndaj evropianëve për të vepruar, por duhet të ndërmarrin vetë veprime. Ata duhet të hedhin në letër formën, strukturën dhe kompetencat e të pasurit “më shumë Evropë” dhe të caktojnë një datë për miratimin e një traktati të ri.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kush-po-e-frenon-motorin-e-be-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala