Kush kërkohet nga Serbia përveç Haradinajt?

Autori:Avdyl Pajaziti

Azem Syla, Shukri Buja e Fatmir Limaj mund ta kenë fatin e Ramush Haradinajt në disa shtete të botës. Ata kanë urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia për “krime që lidhen me luftën në Kosovë”, shkruan sot Koha Ditore.

Katër prej drejtuesve më të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të listuar si persona të kërkuar në mbi 190 shtete të botës. Nga lista e të kërkuarve janë hequr Hashim Thaçi dhe Agim Çeku.

Thaçit i është anuluar urdhri për arrestim me automatizëm kur është bërë kryeministër. Rregullat e Interpolit përcaktojnë se kryeministrat dhe ministrat e Punëve të Jashtme nuk mund të arrestohen pavarësisht se për çfarë veprash kërkohen.

Agim Çeku është larguar nga lista në vitin 2009, kur ishte arrestuar në Bullgari dhe ishte mbajtur 72 orë në paraburgim. Ai ishte liruar me vendim të gjykatës.

Lista e përgjithshme e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kërkuar me urdhërarrest të lëshuar nga Serbia është mbi 40, ka mësuar “Koha Ditore”.

Derisa Haradinaj, Syla e Buja kërkohen nga vitet 2002 dhe 2004, Limaj kërkohet nga viti 2010.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kush-kerkohet-nga-serbia-pervec-haradinajt/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala