Kush do t’i gjykojë “Kosovarët e Kumanovës”?

Autori:Avdyl Pajaziti

Konflikti 40 orësh në Kumanovë, me 9 e 10 maj, pos 22 të vdekurve dhe shkatërrimit total të Lagjes së Trimave, ka rezultuar edhe me 30 persona të arrestuar – 18 prej të cilëve besohet se janë shtetas kosovarë.

Gjykata Themelore e Shkupit të gjithë të arrestuarve ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për veprën penale – “krim i organizuar”.

Por, në çfarë mënyre i trajton Republika e Kosovës qytetarët e saj të cilët kryejnë vepra penale në shtetet tjera?

Avokati Arianit Koci i ka thënë Klan Kosovës se adresa e parë për mbrojtjen e interesave juridike të qytetarëve kosovarë jashtë Kosovës është Ambasada e Kosovës.

“Në momentin kur një qytetar kosovar ka probleme me ligjin, respektivisht arrestohet, shteti i cili e ka arrestuar atë e ka obligim që me kërkesë të të arrestuarit menjëherë ta informojë Ambasadën e Kosovës”.

“Personi përgjegjës në Ambasadë ka autorizim ligjor dhe duhet menjëherë ta vizitojë shtetasin e paraburgosur në qendrën e paraburgimit”.

Koci tha se edhe në rastin e fundit në Kumanovë, procedura s’ka pse të jetë ndryshe.

“Në rastin konkret, Gjykata në Maqedoni, me kërkesë të të paraburgosurit, është e obliguar që menjëherë t’ia mundësojë zyrtarit të Ambasadës së Kosovës vizitën në qendrën e paraburgimit, si dhe komplet dokumentacionin se për çfarë vepre po dyshohet”.

Por, Ambasada e Kosovës në Shkup ende nuk i ka kontaktuar të arrestuarit.

Mosreagimin i misionit diplomatik kosovar atje arsyetohet me mospasjen e informatave zyrtare.

“Ne ende nuk kemi kurrfarë informatash – as nga policia e Maqedonisë, as nga Gjykata”.

“Në momentin që do të kemi diçka të konfirmuar zyrtarisht, ne do përgjigjemi”, i tha Klan Kosovës, një zyrtar i ambasadës, pa pranuar t’i përmendet emri.

Klan Kosova ka bëtë përpjekje për ta kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, por asnjë nga zyrtarët e saj nuk ka kthyer përgjigje.

Avokati Koci, megjithatë, kujton se ka situata kur Ambasada nuk ka mundësi të ndërhyjë.

“Ka raste kur i arrestuari apo i paraburgosuri nuk pranon që të informohet Ambasada e shtetit amë”./Klankosova.com/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kush-do-ti-gjykoje-kosovaret-e-kumanoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala