Kurti: Thaçi bëri marrëveshje me kryemilicin Daçiq

Autori:Avdyl Pajaziti

Ndaj një deklaratë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, që i referohet opozitës, ka reaguar themeluesi i Vetëvendosjes, aktualisht deputet i saj në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti.

Në reagimin e tij thuhet:

Gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës ka qenë i Policisë së Kosovës, që kishte hedhur me qindra sosh mbi qytetarët, por disa kishin mbetur të pashpërthyera në demonstratën e 27 janarit 2015 kundër Jabllanoviqit, e të cilin po e mbronte dueti Mustafa-Thaçi. Nuk ka kuptim të shkarkohet Jabllanoviqi e të ngarkohet ‘Zajednica’ në Kosovë.

Marrëveshjen e 19 prillit 2013, Thaçi si kryeministër e kishte bërë me Ivica Daçiqin, i cili ishte jo vetëm kryeministër i Serbisë, por edhe ministër i Brendshëm i saj. Daçiqi ishte zëdhënës i partisë së Milosheviqit para luftës e gjatë luftës në Kosovë. Thaçi bëri marrëveshje me kryemilicin serb Daçiq pikërisht në 100 vjetorin e dorëzimit të Shkodrës Malit të Zi nga Esat Pashë Toptani.

Daçiq ishte edhe shef i xhandarmërisë serbe kur tre policë të Kosovës u poshtëruan në Dumnicë të Llapit si dhe kur polici Enve Zymberi u vra nga strukturat e Serbisë në veri të Kosovës.

Thaçi është rebeluar kundër Republikës së Kosovës të cilën po e saboton përmes ‘Zajednicës’ që na bosnjëzon. Ne duhet ta mbrojmë Republikën pa të cilën nuk ka kuptim Kuvendi. Edhe me gaz lotsjellës. Sidomos me gaz lotsjellës. Jo vetëm me gaz lotsjellës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kurti-thaci-beri-marreveshje-me-kryemilicin-daciq/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala