Kurti refuzon të deklarohet para prokurorit, kërkohet masa e paraburgimit të tij

Autori:Gazeta Fjala

Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, siç ka bërë me dije edhe më herët, ka filluar hetimet kundër deputetit të Kuvendit të Kosovës Albin Kurti, i cili dyshohet se ka kryer veprat penale: “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 365 i Kodit Penal të Kosovës, “Përdorimi i armës”, nga neni 375 i Kodit Penal të Kosovës dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Kosovës.

“Duke u bazuar në nenin 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 të Kodit të Procedurës Penale, Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë deputetit Kurti i ka dërguar ftesa për tu paraqitur në zyrën e prokurorit të çështjes, për të dhënë deklaratën e tij, lidhur me dyshimet që i vihen në barrë. Mirëpo, i njëjti nuk i është përgjigjur ftesës së Prokurorit të Shtetit, andaj gjyqtari i procedurës paraprake me kërkesë të prokurorit të çështjes ka lëshuar urdhërarrest”, njofton Prokuroria e Shtetit, njofton Koha.net

“Policia e Republikës së Kosovës ka zbatuar sot urdhrin e Gjykatës dhe e ka sjellë të pandehurin Kurti në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, i cili ka refuzuar të jep deklaratën e tij para prokurorit të rastit. Prokurori ka ushtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Kurti dhe kjo kërkesë është parashtruar, pasi që i njëjti nuk iu është përgjigjur ftesës së prokurorisë, ka përsëritur kryerjen e veprës penale dhe ka qëndruar në arrati”, thuhet më tej në këtë njoftim.

Prokurori i Shtetit siguron opinionin publik se është i vendosur që të respektoj të gjitha dispozitat ligjore për secilin rast, pavarësisht së kush është i dyshuar për vepër penale, duke respektuar dinjitetin e secilit individ, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të barabartë e të paanshme, përfshirë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të arrestuarit tjerë të sotshëm.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kurti-refuzon-te-deklarohet-para-prokurorit-kerkohet-masa-e-paraburgimit-te-tij/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala