Kurti: Mustafa e Thaçi të shitur tek Serbia

Autori:Avdyl Pajaziti

Një ditë pas ndalimit dhe mbajtjes për 3 orë me radhë nga Policia e Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes dhe ish-lideri i saj ka thënë për News24 se nuk do të ndalet deri në anulimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Kurti ka treguar momentet e para të arrestimit duke u shprehur se vetëm falë protestave policia e la të lirë.

“Unë mbrëmë po kthehesha nga Shkupi për në Prishtinë, dhe në hyrje të Prishtinë një task-forcë e policisë së Kosovës me 15 policë na kishte organizuar një pritë dhe kërkuan të dal nga makina. U kërkova të më tregonin urdhër-arrestin apo fletë-arrestin më thanë se është urdhër i prokurorit, por nuk kishte emër prokurori. Pas refuzimit tim me nxorën dhunshëm nga makina, rrugës më premtuan se kur të shkonin në postë do më tregonin urdhrin. Por as atje nuk ma treguan, më morën në pyetje hetues, por jo prokuror. Më thanë nuk je i arrestuar, por i ndaluar, kur i thashë se a mund të shkoj më thanë jo nuk mund të shkosh. Deshën që të më intervistojnë për atë që ndodhi në parlament, por nuk dhashë asnjë deklaratë. Dhashë vetëm gjeneralitetet e mia. E gjitha ka të bëjë me gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Prokurori nuk erdhi, thanë që janë duke biseduar me prokurorin. Ata kishin të drejtë të më mbanin 6 orë, por më liruan pas 3 orësh për shkak të protestave”, u shpreh Kurti.

I pyetur nga gazetari Edvin Parruca nëse do të dëshmonte në prokurori për ngjarjet në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u hodh gaz lotsjellës, Kurti tha se nuk do të përgjigjej në një situatë hipotetike. Ai deklaroi se VV nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojë të vijojnë seancat në Kuvend.

“Nuk kam parë ende asnjë dokument. Nuk do të isha përgjigjur në një situatë të tillë hipotetike, këtu gjithçka është e parregullt. Vetëvendosje është këmbëngulëse në kundërshtim të “Zajednicës” (asociacionit të komunave serbe) dhe demarkacionit me Malin e Zi. Nuk do të lejojmë që të vazhdojnë seancat e Kuvendit. Nga marrëveshja Mustafa e bosnjëzon Kosovën. Marrëveshja me Malin e zi, i fal 9 mijë hektarë. Ne jemi të vendosur që të mos ndalemi, deri sa ti tërheqin këto marrëveshje të dëmshme dhe të turpshme”, theksoi deputeti i VV.

Kurti justifikoi mënyrat e dhunshme të përdorura nga opozita në Kuvend, pasi sipas tij nuk mund të ketë shumicë kundër republikës.

“Nuk mund të ketë shumicë numrash kundër Republikës. Koalicioni qeverisës nuk mund të rebelohet kundër Republikës së Kosovës, duke e futur këtë kalë të Trojës, asociacionin e komunave serbe”, u shpreh ai.

Kurti ka shpjeguar pse VV është kundër asociacionit të komunave serbe. Ai nënvizoi faktin se ky asociacion do të ketë kompetenca të plota në të gjitha fushat, do të kenë qasje në sistemin kosovar, por qeveria nuk do të ketë qasje tek këto komuna.

“Në Kosovë janë 10 komuna me shumicë serbe, si rezultat i planit të Ahtisarit. Tani këto komuna duan të bëhen bashkë kundër Kosovës. Pra qeveria e Kosovës do të formojë diçka që nuk e shpërbën dot. Ky asociacion do të ketë kompetenca të plota në shumë fusha. Do ketë asamblenë e vetë, presidentin dhe zëvendëspresidentin, flamurin e saj, do ketë të drejtë të hyjë në marrëdhënie me vende të tjera, me Serbinë e Rusinë. Komandant i Policisë për veriun thuhet se do të jetë serb. Pra ata kanë qasje në sistemin tonë, ndërsa ne nuk kemi tek ata. Do financohet nga Beogradi”, tha Kurti.

Ish-lideri i Vetëvendosjes tha se ata që i kanë pranuar këto marrëveshje janë njerëz të shitur, dhe po kërkojnë të shesin edhe Kosovën.

“Ne kemi shumë njerëz të shitur, ata nuk mendojnë, ata janë të shitur. Qëndrimet e tyre pasojë e faktit që janë të shitur. Po kërkojnë të shesin edhe Kosovën. Është shkelur kushtetutshmëria e Kosovës. Ne nuk kemi ligj për referendum. 9 veta në gjykatën Kushtetuese do vendosin për këtë, kur aty janë 3 të huaj dhe njerëz të biznesit. Gjykata Kushtetuese në Kosovë nuk është as Gjykatë dhe as Kushtetuese. Kosova është në krizë të thellë për shkak të kësaj qeverie, që pas marrëveshjes Mustafa-Thaçi-Jabllanoviq. Këta janë marrë vesh me Serbinë dhe po sundojnë Kosovën, kjo është kriza. Nëse bie në krizë edhe një marrëveshje me Serbinë është mirë, por nuk ka marrëveshje me Serbinë në krizë. Nga njëra anë po na zhysin në borxhe tek FMN dhe nga ana tjetër po na bosnjëzojnë”, deklaroi Kurti.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kurti-mustafa-e-thaci-te-shitur-tek-serbia/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala