Kurti: Me “Zajednicën” Forcat e Armatosura s’mund të jenë të Kosovës

Autori:Gazeta Fjala

Përsëritja e një skenari të ngjashëm, sikurse ai i para një viti, kur Kosova pati hyrë në një krizë gjashtëmujore politike, vështirë se mund të ndodhë, sado që opozita të jetë e bashkuar.

Kjo pasi bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme të sakrifikojë dhe shtyjë projektet që ata kanë nisur siç është formimi i Gjykatës Speciale dhe jetësimi i marrëveshjeve të Brukselit. Këto janë vlerësimet e analistëve politikë në vend, të cilët nuk presin që kriza politike në vend sado që do të vazhdojë, nuk do të ketë një fund sikurse të para një viti.

Analisti Artan Muhaxhiri në një prononcim për KosovaPress, ka vlerësuar se vendi është aktualisht në një krizë politike, e cila, sipas tij, do të vazhdojë.

“Aktualisht ne jemi në një krizë politike parlamentare dhe është evidente që skena politike është bllokuar. Jeta politike është bllokuar, pasi kemi dy kërkesa që janë krejtësisht të papërputhshme të pozitës dhe opozitës, prandaj edhe kjo gjendje, ky hendek do të vazhdojë edhe për një kohë sepse nuk ka asnjë indikacion se qoftë pozita, qoftë opozita e ka një tendencë për ta zvogëluar këtë dallim dhe për ta gjetur ndonjë dalje nga kriza”, është shprehur Muhaxhiri.

Se a do të ketë krizë të njëjtë, sikurse ajo e vitit të kaluar, kjo edhe mund të pritet, mirëpo sipas Muhaxhirit, një bllokadë si ajo e vitit të kaluar e që zgjati gjashtë muaj vështirë se do të lejohet nga bashkësia ndërkombëtare, e cila edhe ka për të realizuar projektet e saj në Kosovë.

Ndërsa Albert Krasniqi nga KDI-ja, ka thënë se ende nuk mund të thuhet se është bllokuar puna e Kuvendit të Kosovës, pasi subjektet opozitare me deputetët e tyre kanë marrë pjesë në disa prej komisioneve ku janë të përfaqësuar.

“Në seancat e tjera plenare është paralajmëruar se nuk do të ketë pjesëmarrje, por këto janë vetëm paralajmërime dhe nuk e di nëse do të ketë bllokim të punës së Kuvendit. Kështu që është pak herët të vijmë në këtë konstatim se ka bllokadë dhe se është diçka e ngjashme si bllokada gjashtë mujore që e kemi pas në fillim të konstituimit të Kuvendit”, ka thënë Krasniqi.

Mirëpo ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ka thënë për “KosovaPress” se opozita është e vendosur se pa tërheqjen e nënshkrimit nga Marrëveshja për Asociacionin nuk do të ketë Kuvend. Sipas Kurtit, as transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura nuk mund të ndodhë derisa të ketë një Bashkësi të komunave serbe.

“Pa u tërhequr nënshkrimi nga ‘Zajednica’ e Mustafës me Serbinë e Vuçiqit, nuk mund të ketë as Kuvend e as Kuvend të Republikës. Neve na gjymtohet shtetësia me atë ‘Zajednicë’ dhe parakusht që Kuvendi i Republikës të jetë përnjëmend qysh e ka emrin është që paraprakisht që të tërhiqet nënshkrimi i tillë dhe të krijohen kushtet që në një shteg të ri, në një orientim të ri të përparojmë edhe sa i përket demokratizimit të drejtësisë edhe sa i përket zhvillimit të mbrojtjes së sigurisë përkatësisht Forcave të Armatosura të Kosovës. Me ‘Zajednicë’ në Kosovë Forcat e Armatosura të Kosovës nuk mund të jenë të Kosovës edhe nëse ato janë Forca të Armatosura të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/kurti-me-zajednicen-forcat-e-armatosura-smund-te-jene-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala